Ne shoqërinë tonë, mosha e madhe konsiderohet kur kalon të 65-at, por njeriu “moshohet” cdo ditë, në sajë të ndryshimeve që ndodhin vazhdimisht teksa rritemi. Maksimumi i jetëgjatësisë së shënuar është 130 vjec, por personi i verifikuar si më i moshuari ka vdekur në moshën 122vjec.
Cili është roli i ushqimit në plakje dhe si mundet të ngadalësohet ajo nëpërmjet ndryshimeve të mënyrës së jetesës dhe ambjentit?
Moshimi është një proces natyral i pa evitueshëm, i programuar në genet tona që në gjenezë. Por njeriu mund ta ngadalësojë atë duke ngrënë ushqime te ushqyeshme, të pastra dhe të larmishme, si dhe duke u ushtruar fizikisht rregullisht. Faktikisht, 70 -80% e e një jetëgjatësie mesatare të njeriut varet nga zakonet që lidhen me shëndetin, genet përcaktojnë vetëm 20-30% të saj. Ushqimi i mirë, jo vetëm që dhuron shëndet dhe mirëqënie fizike, por gjithashtu përmirëson cilësinë e jetës pa më të voglin dyshim.
Si te ushqehemi në moshën e tretë?
Percaktimi i një meny-je ideale për moshën e tretë është mjaft e vështirë, për faktin se të moshuarit kanë nevoja të ndryshme në varësi të statusit të tyre shëndetësor. Megjithatë, më poshtë po rendisim nevojat thelbësore dhe problematikat më të përhapura të kësaj popullate në lidhje me ushqimin.
Sa kalori i nevojiten nje te moshuari?
Ne moshën e tretë, nevojat për kalori ulen sepse trupi ka më pak muskuj, hormonet e tiroides bien dhe ka një ritëm metabolik më të ngadaltë. Përvec kësaj, në këtë moshë njeriu është më i plogësht dhe i ka lëvizjet e kufizuara, edhe pse nuk duhet që të ndodhë kështu. Kjo do të thotë që konsumi i ushqimit duhet të jetë më pak krahasuar me një pesëdhjetëvjecar.
Ja si mund të llogarisim sa kalori i nevojitet një të moshuari
- Për burrat mbi 50 vjec: 3000 kalori – 10 kalori/dite per cdo vit të moshës mbi 19 vjec.
- Për gratë mbi 50 vjec: 2400 kalori – 10 kalori/dite për cdo vit moshe mbi 19 vjec.
- P.sh., një te moshuare 85 vjecare i nevojitet perafersisht:
2400 –(10 x (85-19)) = 2400 – 10×66 = 2400 – 660 = 1740kalori/dite
Meny shembull për një të moshuar
Kjo menu eshte marre nga faqja e dietologes Blerina Bombaj, blerinadiet.al.
- Mëngjes: Qumesht të skremuar me 3 lugë tërshërë, ½ banane dhe fara lini (të zbutura në qumësht për rreth 1 orë në frigorifer), 1 kapsule vaj peshku
- Paradite: 1 caj mali me pak rigon dhe dafinë, 1 lugë të vogël mjaltë dhe 1 vezë të zier me pak vaj ulliri dhe rigon, 1 portokall
- Drekë: Sallatë me lakër të bardhë, karrotë, majdanoz të marinuar me limon, pak vaj farash kungulli dhe hudhër. Pure patatesh me pak qumësht dhe majdanoz, 120 gr gjoks pule me salcë mustarde.
- Pasdite: 1 fetë bukë thekre me salce specash te kuq dhe gjizë, 1 kivi
- Darke: Spinaq burani me pak oriz, 1 kupë trahana të thartë me djathë dhie dhe pak bukë thekre, 1 kupe kos me hudhra, kastraveca dhe kopër.
- Para gjumit: 1 caj kamomil ose farash finoku me mjaltë