Autoriteti Kombëtar i Ushqimit po zhvillon një sërë takimesh në disa qytete me operatorët e biznesit të prodhimit dhe përpunimit të qumështit.
Përcjellja e mesazhit për nismën që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ndërmarrë për plotësimin e raportit të vetëkontrollit nga operatorët e biznesit, për nivelin e plotësimit të standardeve të sigurisë ushqimore sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi dhe vëmendja që Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural i kushton garantimit të sigurisë ushqimore, ishin në qendër të këtij takimi në Shkodër dhe Vlorë.
Krijimi i sistemit efektiv të gjurmueshmërisë do të reflektojë dhe përmbushë me përgjegjësi kërkesat rregullatore, të cilat do të jenë të verifikueshme nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit edhe nga intensifikimi i kontrolleve zyrtare për plotësimin e standardeve të kërkuara me ligj.
AKU thekson rëndësinë e madhe që operatorët e biznesit të prodhimit dhe përpunimit të qumështit duhet t’i kushtojnë vendndodhjes, kushteve dhe gjendjes së stabilimenteve, mjeteve të transportit, pajisjeve dhe makinerive që përdoren për prodhimin e qumështit dhe produkteve të tij, dokumentacionit për lëndën e parë, qumështin, certifikatës shëndetësore, testeve për praninë e antibiotikëve, analizave të tjera, si dhe ambalazhimit dhe paketimit të produkteve.
Të pranishëm gjatë këtij takimi ishin edhe përfaqësues nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, ku u referua edhe nga skemat që mund të përfitojnë këto subjekte nga subvencionet e qeverisë shqiptare.
Për një pjesë të konsiderueshme të operatorëve të biznesit të prodhimit dhe përpunimit të qumështit, problemet ishin më të shumta nga ferma deri tek stabilimentet e prodhimit të qumështit.
Gjatë takimit u evidentua edhe një tjetër problematikë në lidhje me zinxhirin ushqimor të kafshëve, si dhe përgjegjësitë që duhet të marrin drejtoritë e bujqësisë dhe drejtoritë e tjera të varësisë me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore. Operatorët e bizneseve të prodhimit dhe përpunimit të qumështit të Qarkut Shkodër shprehën edhe interesin dhe gatishmërinë për skemat subvencionuese të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural me qëllim arritjen e standardeve sipas listave të reja të verifikimit.
Burimi:ATA