Si nënat e punësuara, ashtu dhe ato shtëpiake gjithmonë ankohen që nuk u del koha. Është mëse e qartë se femra përballet çdo ditë me kryerjen e disa detyrave në të njëjtën kohë.
Si mund ta zgjidhim që të kemi pak më shumë kohë?
Kjo arrihet duke vlerësuar prioritetet dhe objektivat që dëshironi të ndiqni. Në ditët e sotme çdokush dhe gjithçka kërkon kohë dhe vëmendje, ndaj nëse ju nuk jeni të qartë cilat janë gjërat më të rëndësishme që doni, jeta juaj do të shpërndahet në një mijë drejtime. Kur vendosni në krye të listës aktivitetet dhe personat të cilët doni më shumë, është shumë e thjeshtë tu thoni “jo” gjërave dhe personave më pak të rëndësishëm dhe të mos ndjeheni absolutisht në faj.
Pra, kur ndjeheni nën presion se s’po ju del koha për të gjitha detyrimet dhe angazhimet, filloni të vendosni prioritete duke i bërë vetes pyetjet:
- Cilat janë prioritetet dhe vlerat që unë dua dhe a ia vlen të mundohem për këtë?
- Cila është kostoja? Ka gjithmonë një kosto. Nuk mund t’i thuash “po” diçkaje apo dikujt pa i thënë “ jo” diçkaje apo dikujt tjetër.
- A është diçka për të cilën duhet të hedh shumë mund apo të hedh gjithëçfarë kam?
- A është diçka që pret?
- Nëse po ndjej shumë ngarkesë, çfarë duhet të eleminoj?
Në librin e tij “ Esencialja”, Greg McKeown, i mëshon idesë “pak e saktë”. “Ne kemi vetëm 24 orë kohë në ditë. Nuk është e thënë të bëjmë sa më shumë gjëra brenda këtyre 24 orëve. E rëndësishme është të përfshish në këto orë aktivitetet dhe njerëzit e tu më të rëndësishëm. Nëse mendon se nuk ka zgjidhje ngarkesa jote, mendohu më shumë dhe zbulo nga vjen ky mendim? Mos je duke plotësuar të gjitha nevojat e të tjerëve duke shkelur qëllimet, nevojat dhe gjërat e tua vërtet të rëndësishme. “Nëse nuk e vendosni ju çfarë keni të rëndësishme në jetën tuaj, dikush tjetër do vendosë për ju” Greg McKeown.
Përgatiti: Elona Çeço / Referenca: www.simplifyandpursue.com