Kinemaja shqiptare do ketë një program të veçantë ne Cinema Du Reel, festivali ndërkombëtar i filmit dokumetar që organizohet në Qendrën Pompidou në Paris nga 18 – 27 mars 2016.
Programi mbi kinemanë shqiptare, i titilluar Një histori përmes imazheve: Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në fokus, është kuruar nga Clarence Tsui, një nga programuesit e festivalit Cinema Du Reel, kritik filmi dhe studiues i kinemasë.
Retrospektiva e pasur me 16 tituj filmash dokumentarë shqiptarë dhe 1 film artistik është konceptuar e grupuar në 5 programe të cilat paraqesin etapat kryesore të historisë së Shqipërisë treguar me anë të mediumit kinematografik:
- Shqipëria e periudhës së shtetformimit, përcjellë përmes kamerës së drejtuar nga Mandi Koçi me dokumentarin e parë prodhim krejtësisht shqiptar të vitit 1947, Viktor Gjika, kinopoema dokumentareske e vitit 1964 mbi rindërtimin e vendit, Shkëlzen Shala me dokumentarin e tij të vitit 1974 mbi Tiranën e djeshme dhe të kohës, pra të ‘74ës, si dhe Kujtim Gjonaj me thirrjen që i bën shoqërisë në vitin 1993 për të mos ngritur më mite pasi kanë shembur idhujt e vjetër.
- ‘Zërat’ e censuruar, të kinematografisë shqiptare do të shfaqen për publikun ndërkombëtar nëpërmjet kamerës së Viktor Stratobërdhës, me filmat e tj të shkurtër të viteve 1955-56, të veçanta në llojin e vet, një pasqyrë e jetës reale të shoqërisë shqiptare të atyre viteve e që shprehin një kinema të çiltër e origjinale.
- Marrëdhëniet me ndërkombëtarët, zbulohen në programin e tretë nëpërmjet filmave të prodhuar në Shqipëri, nga kineastë të huaj si dokumentari i realizuar në 1935 nga Walter Frentz, apo bashkëprodhimeve me rusët (Shqipëria 1945, Roman Karmen) dhe kinezët (Krah për Krah, Endri Keko, Ho Y Shen, 1964).
- Pasoja – Historia e risjellë, është programi i katërt i cili don të ri-tregojë historinë e shqiptarëve, këtë herë përmes 2 dokumentarëve të kohëve të fundit, nga dy regjisorë të brezit të ri të kineastëve; “Superballkan”, Fatmir Koci, 1998 dhe “Pritja”, Roland Sejko 2015.
- Loja e fëmijëve – Realiteti i Xhanfise Kekos është programi i fundit i retrospektivës, dedikuar regjisores shqiptare. Studiuesve dhe kritikëve europianë të filmit po u bën përshtypje gjithnjë e më shumë puna dhe arti i një gruaje regjisore.