Burrat duhet të bëjnë punë shtëpie, e thotë dhe shkenca

Burrat duhet të bëjnë punë shtëpie. Kjo sepse një studim i ri ka zbuluar se produktet për pastrimin e shtëpisë ndikojnë në funksionin e mushkërive të femrave dhe jo tek meshkujt.

Ekspozimi i gjatë ndaj produkteve për pastrimin e shtëpisë ndikon në mënyrë të konsiderueshme tek funksioni i mushkërive, paralajmërojnë shkencëtarët. Studimi i kryer për 20 vite nga një ekip nga Universiteti Bergen, në Norvegji, ka zbuluar se femrat duket se janë më të ndjeshme ndaj këtyre produkteve se meshkujt.

Ata thonë se produktet e pastrimit janë “të panevojshme”, pasi për pastrimin e objekteve në shtëpi mund të përdoren thjesht pëlhurat me mikrofibra dhe ujë.

Ekspertët thonë se njerëzit duhet t’i mbajnë shtëpitë të ajrosura mirë dhe të përdorin produkte të lëngshme në vend të sprayt.

Autorja kryesore e studimit, prof. Cecile Svanes, thotë: “Kemi frikë se substanca të tilla kimike, duke shkaktuar vazhdimisht dëmtime të vogla në rrugët e frymëmarrjes ditë pas dite, vit pas viti, mund të përshpejtojnë dëmtimin e mushkërive me kalimin e moshës”.

Autorët e studimit sugjerojnë se substancat kimike tek produktet e pastrimit irritojnë membranën mukoze që vesh rrugët e frymëmarrjen në mushkëri, duke shkaktuar dëmtime afatgjate. Sidomos gratë që i përdorin çdo ditë këto produkte për shkak të profesionit janë më të rrezikuara.

E kundërta ndodh me meshkujt, pasi nuk ka ndonjë diferencë mes atyre që pastrojnë dhe atyre që nuk i përdorin asnjëherë këto produkte. Shkencëtarët thonë se kjo mund të shpjegohet me faktin që gratë mund të jenë më të ndjeshme ndaj efekteve të substancave kimike të këtyre produkteve.

femra-moderne.com