Muslimanët kanë dy festa, dy bajrame, Bajramin e Ramazanit dhe Bajramin e Kurbanit. Në arabisht quhet ‘Id, që do të thotë kthim, sepse gjerat kthehen në gjendjen e mëhershme, normale, siç është ngrënia gjatë ditës etj. Festën e Bajramit të Ramazanit do ta shënojnë të gjithë besimtarët, e sidomos ata të cilët kanë dhënë kontributin e tyre shpirtëror e fizik.
Fitër Bajrami është festa e cila bëhet pas mbarimit të muajit të Ramazanit. Emri Fitër Bajram vjen nga ajo se myslimanët para ditës së bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, kështu për ta festuar së bashku këtë festë.
All-llahu i Madhëruar ligjësoi në fund të muajit të Ramazanit festën e Fitër Bajramit, gëzim për myslimanët ashtu siç ligjësoi festën e Kurban Bajramit në ditën e dhjetë të muajit Dhul-Hixhxhe. Festa e Bajramit manifestohet duke falur namazin e Bajramit.
Falja e namazit të Bajramit
Namazi i Bajramit është vaxhib (obligim i domosdoshëm) për çdo mysliman. Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i ka kushtuar rëndësi të veçantë duke i urdhëruar myslimanët që të falin këtë namaz.
Koha e namazit të Bajramit fillon me ngritjen e Diellit nga horizonti sa një shtizë, derisa të arrijë në zenit.
Namazi i Bajramit ka dy rekate dhe dallon prej namazeve tjera për nga mënyra e faljes. Në rekatin e parë pas tekbirit fillestar merren shtatë tekbire, mandej lexohet sureja Fatiha dhe ndonjë sure tjetër (preferohet të lexohet sureja A’ëla ose Kaf). Pas plotësimit të rukusë dhe sexhdesë së rekatit të parë, ngritet për në rekatin e dytë dhe menjëherë merren pesë tekbire pas të cilëve lexohet Fatiha dhe ndonjë sure (preferohet leximi i sures Gashije ose Kamer), më pas shkohet në ruku dhe sexhde e kështu përfundon namazi.
Përgatitja për festën e Bajramit
Nga elementet përgatitjes për festën e bajramit janë:
- Larja e trupit.
- Të stolisurit me rrobe të bukura.
- Ngrënia e hurmave para daljes për të falur namazin e Bajramit.
- Shkuarja herët në musal-la për të falur namazin e Bajramit.
- Shkuarja në musal-la këmbas.
- Ndërrimi i rrugës në shkuarje dhe kthim nga musal-la.
Pastrimi i ambientit brenda dhe jashtë shtëpisë, oborrit dhe rrugës
Islami i kushton rëndësi të madhe pastërtisë individuale, kolektive por edhe pastërtisë shpirtërore, ekologjike etj. nisur nga kjo, dikur por edhe sot është detyrë parësore e familjeve muslimane pastrimi i shtëpisë, i dekorit shtëpiak etj. Pastrohet edhe oborri i shtëpisë, stërpiket me ujë rruga dhe hiqen mbeturinat si kurrë më parë. Ditët e fundit para Bajramit tërë familja janë në shërbim të pastrimit të shtëpisë, brenda dhe jashtë, që ditët e Bajramit të duken sa më të këndshme.
Shpërndarja e sadakat’ul-fitrit (dhe zekatit) për Fitër Bajram
Koha e fundit për ta dhënë sadakt’ul-fitritn në institucionet e Bashkësisë Islame është namazi i Bajramit. Në rrethanat e atëhershme, Muhammedi a.s. ka urdhëruar që sadaka të ndahet para namazit. Për shkak të rrethanave të tjera të banimit, të urbanizimit të qyteteve etj., kohëve të fundit sadakat’ul-fitri organizohet ndryshe, tubohet më herët nga institucioni i Bashkësisë Islame, me triska, sipas kategorive të ndryshme, që i përgjigjet standardit të besimtarëve.
Kurban Bajrami
Me Kurban Bajramin mbaron dhe Haxhi, që është kushti i pestë i Islamit, me të cilin dëshmohet solidariteti dhe mirëqenia. Në këtë ditë të shënuar të kalendarit mysliman theren kurbanë, që simbolizon sakrificën për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Kur’ani, Haxhi dhe Kurbani janë përmbajtjet themelore të Kurban Bajramit, të cilët paraqesin tri ideale të larta Islame.
Kur’ani paraqet arsimimin dhe devotshmërinë, Haxhi solidaritetin reciprok dhe Kurbani – sakrificën për të tjerët. Sakrifikimi në këto ditë të shenjta të Kurban Bajramit shprehet përmes therjes së kafshëve të caktuara, të cilat emërohen “kurban” ose sakrificë. Edhe ky akt fetar bie në ibadetet pronësore që çdo mysliman të therë kurban.
Urimet e Bajramit
Nuk kemi ndonjë mënyrë të saktësuar se si bëhet urimi nga vetë Muhammedi a.s., por te ne praktikohen disa mënyra urimi: Me fat Bajramin, Për hajr Bajramin, Urime Bajramin, Bajram mubarek olsun etj.
Mënyra e festimit të Bajramit
Bajrami është ditë e veçantë për muslimanët, sidomos për agjëruesit. Ata gëzohen për Bajramin, njëkohësisht e kalojnë në bindje ndaj urdhrave të tij.
Hadithet e shumta tregojnë se gjatë ditëve të Bajramit është e lejuar të relaksohemi, të argëtohemi, pasi një angazhimi të madh shpirtëror dhe fizik, të agjërimit dhe ibadeteve tona. (Fet’hu’l-Bari).
Ushqimet e përgatitura
Pas kthimit nga xhamia, Bajrami festohet me më të afërmit. Sofra e bajramit, përkatësisht dreka e bajramit është pjesë përbërëse e shënimit të kësaj feste. Çdo gjë përgatitet në mënyrë të veçantë: mbulesa e sofrës (tavolinës), enët, gjellëra me bollëk. Më së shpeshti përgatitet paça ose supa, pastaj tava, sarma, dollma, qoftet e pashës, mish i pjekur, myseku e musaka, sallata, kos, dhallë dhe zakonisht bakllava, sheqerpare e ndonjë ëmbëlsirë vendi apo rajoni. Kjo varet edhe nga fuqia ekonomike e familjes.
Edhe diçka. Gjatë ditëve të bajramit është i ndaluar agjërimi, sepse këto janë ditë të ushqimit dhe pijeve. (Ahmedi dhe Muslimi).
Vizitat gjatë Bajramit
Ditën e parë të Bajramit zakonisht vizitohet familja e ngushtë dhe e gjerë, e më vonë edhe fqinjët, miqësia, kolegët etj. Vizitohen edhe varrezat. Gjatë Bajramit duhet pasur kujdes të veçantë ndaj të afërmve, qoftë edhe me ndonjë dhuratë.
Pajtimi mes të hidhëruarve
Jeta na çon në situata të paparashikuara dhe ndodh të hidhërohemi mes veti. Bajrami është rasti më i mirë që këto mospajtime t’i braktisim, në frymën e Kur’anit dhe Hadithit, se besimtarët nuk mund të mbajnë hidhërim përtej tri ditëve. Bajrami është rasti më i mirë për pajtim dhe dashuri mes veti.
Burimi i informacionit: wikipedia.org / portalb.mk