Vetëm disa ditë më parë kryeministrja e Zelandes së Re Jacinda Ardern kishte festuar “fitoren” në betejën kundër COVID-19, duke kërcyer me vajzën e saj dhe duke shpallur se vendi që drejton nuk kishte më asnjë shenjë aktive të pandemisë brenda territorit.
Por nuk është më kështu. Autoritetet Shëndetësore të Uellingtonit kanë deklaruar se dy persona kanë rezultuar pozitivë ndaj COVID-19, dhe ndodhen tashmë në izolim.
Bëhet fjalë për dy gra të një familje, që vinin nga Britania e Madhe, me transit në Australi. Autoritetet thonë se gratë kanë ndjekur protokollet dhe nuk kanë takuar persona gjatë udhëtimit, por gjithsesi po bëhen kontrollet e kontakte të mundshme.
Kryeministrja Ardern ka marrë elozhe për menaxhimin e pandemisë, duke futur ishullin në karantinë qysh në mesin e marsit. Karantina dhe bashkëpunimi i popullsisë, që është regjistruar në masë në aplikacionin NZ COVID Tracer për të identifikuar të prekurit, kanë frenuar përhapjen e virusit, me bilancin që deri më sot shënon 1502 raste.
“Me shumë mundësi do kemi raste të tjera, kur të hapim kufijtë, ky nuk do jetë sinjal që kemi dështuar”, deklaroi kryeministrja.