Largoni lodhjen me dietën e duhur

Nëse ndjeheni të rraskapitura, uluni menjëherë në tryezë. Do të karikoni bateritë dhe… humorin.

Puna, fëmijët, shtëpia: angazhimet e shumta të ditës dhe ritmet e përshpejtuara të jetës, herët a vonë, jua shkarkojnë bateritë. Dhe ja tek vjen lodhja. Sapo ngriheni, ndjeheni të lodhura. Dhe kjo topitje nuk ju largohet gjithë ditën. Pastaj, nëse jeni edhe anemike, e rënë moralisht, ose me tension të ulët, mungesa e energjive mund t’ju hedhë me të vërtetë kokëposhtë. Megjithatë, nuk është e vështirë të rigjeni vrullin. Mjafton të kontrolloni që ushqimi të jetë i mbushur me ushqyes “antilodhje”.

Përveç karbohidrateve (buka, makaronat, orizi), të domosdoshëm, sepse gjatë tretjes shpërbëhen në glukozë, duke ju furnizuar me “benzinën” e organizmit, le të shikojmë se cilat janë substancat e duhura për të “rikarikuar bateritë”.

Vitaminat

  • Grupi B. Ushqimet e pasura me kompleksin B janë thelbësore për të rifituar energjitë. Më të çmuarat janë vitaminat B12 dhe B5. E para mban aktiv prodhimin e rruazave të kuqe dhe vepron në metabolizmin e glucideve, yndyrnave, aminoacideve dhe qelizave nervore. E dyta, e ashtuquajtur edhe acid pantotenik, shpesh përcaktohet si vitaminë antistres, sepse merr pjesë në funksionet e sistemit imunitar dhe të gjendrave mbiveshkore. Këto të fundit prodhojnë kortizolin, një hormon i rëndësishëm kundër gjendjeve të lodhjes së përgjithshme.
  • Vitaminën B12 e gjeni në ushqimet me origjinë shtazore (qumësht, mëlçi, mish, peshk dhe tek e bardha e vezës) dhe te malti, drithi me të cilin prodhohet birra. Ushqimet e pasura me vitaminë B5 janë mëlçia, veza, mielli i sojës, bizelet, kikirikat dhe gruri saraçen.
  • Vitamina “D” është e dobishme për të kundërshtuar lodhjen fizike dhe për të rifituar me shpejtësi energjitë. Të pasura me vitaminë D janë vajrat bimore, zarzavatet jeshile, e verdha e vezës, peshku (sidomos haringat dhe sardelet), vaji i mëlçisë së merlucit dhe qumështi.
  • Vitamina “E” Antioksidues i fuqishëm, mbron nga veprimi i dëmshëm i radikaleve të lira, shkaktuar nga ndotja dhe përgjegjëse të lodhjes. Ushqimet e pasura me vitaminë E janë farat e lulediellit, lakra, sallata jeshile, spinaqi dhe prasi.

Oligomineralet

  • Magnezi. Është i domosdoshëm për transmetimin korrekt të impulseve nervore, për funksionimin e mirë të muskujve (ndihmon në lëshimin e tyre), për të ndihmuar organizmin që t’i përdorë më mirë të gjithë ushqyesit e pranishëm në produktet ushqimore dhe për të përmirësuar tonin e humorit. Në burimet kryesore bëjnë pjesë: krundet, çokollata e hidhur, bizelet, perimet me gjethe, frutat e thata dhe drithërat integrale.
  • Hekuri. Shërben për të “fabrikuar” hemoglobinën (proteina e rruazave të kuqe që transporton oksigjenin në gjak) dhe mioglobinën (proteina që oksigjenon muskujt gjatë lëvizjes). Hekuri i pranishëm në ushqimet me origjinë shtazore përdoret më mirë nga organizmi dhe është më shumë bio i gatshëm në krahasim me atë me origjinë bimore (20 % kundrejt 2-3 %). Për ta bërë hekurin e bimëve më të asimilueshëm, mjafton të shtoni pak vitaminë C (agrumet, kivi, luleshtrydhet ose specat). Pra, rrugë të lirë mishit pa dhjamë, peshkut dhe frutave të detit, vezëve, fasuleve, drithërave dhe perimeve me gjethe jeshile.
  • Kaliumi. Ka një rol të rëndësishëm në funksionimin e muskujve dhe të sistemit nervor. Janë burime shumë të mira kaliumi: frutat (sidomos bananet, kajsitë, kivi), bishtajoret e thata, patatet dhe mishi.
  • Fosfori. Është thelbësor për të rikarikuar energjitë, sidomos në rastet e lodhjes psiqike dhe të konvaleshencës. Gjendet te mishi, peshku, pula, vezët dhe drithërat.
  • Zinku. Është i nevojshëm për riparimin dhe rritjen e qelizave të reja. Të pasura me zink janë: majaja e birrës, fasulet, arrat , peshku dhe mishi.
  • Bakri. Merr pjesë në sintezën e hemoglobinës dhe të mielinës, këllëfi mbrojtës që mbështjell fibrat nervore. Burimet kryesore janë: mëlçia, peshku, frutat e detit, drithërat integrale, zarzavatet jeshile, bajamet dhe arrat.

“Booster-at”

Amerkianët quajnë kështu xhinsengun dhe eleuterokokun, bimët që ndihmojnë në rigjetjen e energjisë, përmirësojnë rezistencën ndaj lodhjes dhe luftojnë lodhjen. Bëhet fjalë për tonikë nervinë, që kanë një veprim stimulues dhe rigjallërues. Por kujdes: nuk këshillohen në rast hipertensioni, shtatzënie, nervozizmi dhe nëse merren antingjizës ose ilaçe me bazë kortizoni.

Burimi: Revista Femra Moderne, Print, Nr. 171

Start typing and press Enter to search