Mjafton emri për t’i përfaqësuar dhe për të lëvizur turmat. Pse gjithë ky sukses?
Rreth 20.000 vizitorë kalojnë para saj çdo ditë dhe gati 330.000 artikuj me figurë shiten çdo vit. Kush është kjo? Mona Lisa, apo Xhokonda, patjetër. Në fakt, piktura e famshme e Leonardo Da Vinçit ndan me një grusht kryeveprash të tjera nderin e të qenët vazhdimisht e identifikuar në gati gjithë botën. Por edhe fatkeqësinë, sepse piktura është eklipsuar nga legjenda e saj. Si kanë mundur të bëhen disa piktura madhështore dhe të njohura njëzëri? Cilësia e tyre është e pamohueshme, por shpesh ato s’janë më të mira se një pjesë e mirë e pikturave të po të njëjtit artist. Forca e tyre është se ato trajtojnë një temë universale: bukuria femërore, te Venusi i Botiçelit, dashuria amënore, te Mëshira e Mikelanxhelos… Gjithmonë bëhet fjalë për vepra figurative, klasike, që paraqesin kërkimin e bukurisë së përsosur. Të tjera, më revolucionare në planin stilistik, njihen dhe respektohen nga publiku, por nuk dashurohen prej tyre. Atëherë kuptojmë se nuk ka vepra po kaq konsensuale në shekullin e XX- të, shekulli i pararojes dhe përçarjes së përcaktimeve tradicionale të artit. Vetëm autoportreti i Van Gogut, sipas historianit, shpjegohet ndryshe: përkon me klishenë e artistit të mallkuar.
Vetëm origjinalet shkaktojnë emocion
Këto vepra, të mbrojtura nga muzetë e mëdha, përfitojnë nga aftësia e tyre për të qarkulluar një numër të madh riprodhimesh, duke forcuar në këtë mënyrë edhe dukshmërinë dhe emrin e mirë të tyre. Këto imazhe, duke u parë gjithandej, mund të na frymëzojnë edhe indiferencën. Kështu që përballë origjinaleve, shpresojmë të ndjejmë, të mallëngjehemi. Aq më tepër që një pikturë apo skulpturë është në rradhë të parë lëndë, një dimension, detaje të padukshme mbi një riprodhim. Kemi nevojë për këtë kontakt me gjurmët e kënaqësisë së artistit.
Mona Lisa
E Leonardo Da Vinçit (1503 –1507), muzeu i Luvrit, Paris
Ajo na mbërthen në një lojë mendjemprehtë shikimesh
Domethënia historike: Pranisë njerëzore i përgjigjet një peisazh shkretinor dhe hënor. Kjo figurë monumentale, “pllakosur” mbi një boshllëk, është shumë magjepsëse. Po kështu, edhe ana e majtë e fytyrës që fillon një buzëqeshje dhe e djathta, që shpreh pafundësinë. Xhokonda simbolizon raportin aktiv midis spektatorit dhe pëlhurës; shkëmbimi i shikimeve, që përbën fuqinë e shumicë së portreteve të pikturuara. Ne kthehemi në objektin e shikuar dhe përpiqemi ta kapim këtë shikim, si gjurmë të kalimit të artistit.
Domethënia psikologjike: Duke na ndjekur me sy, Mona Liza na thotë një të vërtetë mbi pikturën në përgjithësi: besojmë se vetëm e shohim, në të vërtetë jemi të magjepsur prej saj. Dhe do ta ndiejmë më shumë të fuqishme, sa më shumë që ndihemi të shikuar prej saj. Mona Lisa na tregon se vizioni dhe shikimi nuk janë e njëjta gjë: ajo që vëzhgojmë nuk është aspak ajo që shikojmë. Ekziston interpretimi midis të dyve. Kjo është enigma e saj; forcuar nga shprehësia e dykuptimtë, androgjene, nga fakti që Leonardo e gjykonte si veprën e tij më të arritur pa thënë pse, madje edhe më të famshme…
Lindja e Venusit
E Botiçelit (rreth vitit 1485), muzeu i Offices, Firence
Ajo mishëron gjithçka që kristianizmi ka ndrydhur
Domethënia historike: Gjithçka të intrigon te kjo hyjneshë ëndërrimtare, e përhumbur midis dy burimeve veprimesh dinamike, që përshkojnë pikturën: erërat, Zefiri dhe Aura që e shtyjnë drejt ranishtes dhe një Hir që ka ardhur për ta veshur me një mantel lulesh dhe frutash të tokës. Venusi është lehtësisht e anuar, në akord me mitikën e numrit të artë që mundëson të krijosh një përshtypje harmonie, gjithmonë duke shmangur monotoninë. Por hijeshia e këtij kompozimi ka të bëjë me atë që asnjë nga personazhet nuk prek tokën, një përshtypje e theksuar nga lulet që fluturojnë, në plan të dytë. Është fluturimi i qënieve hyjnore që u shpëtojnë lidhjeve të peshës, mallkimit të rëndesës, tipike e njerëzve…
Domethënia psikologjike: Kjo pikturë është pikturuar në mes të Inkuzicionit. Në momentin kur kristianizmi ishte më virulent, shfaqja e një teme pagane, për më tepër një hyjneshe nudo, mund të duket e habitshme. Por për elitën e epokës, në origjinën e komandimit të pikturës, panteoni grek prirej pikërisht të simbolizonte rikthimin e asaj që ishte ndrydhur nga kristianizmi. E çfarë shikojmë ne këtu? Venusi del nga fundi i ujërave, si nga vendi ku e kishin ndrydhur. Ajo shfaqet me vërtetësinë e saj: e zhveshur, e pavenitur; dhe bashkë me të shfaqen sensualiteti, raporti me trupin, gjithçka që kristianizmi është përpjekur të shtypë gjatë shekujve, ndonjëherë edhe me dhunë. Fuqia e kësaj pikture, është se përfaqëson daljen nga errësira.
Mëshira
E Mikelanxhelos (1498-1499), bazilika e Shën Pjetrit, Romë
Në këtë pikturë, lidhja midis vdekjes dhe erosit është turbulluese
Domethënia historike: Asnjë referim fetar, asnjë patos, por një fuqi e padëgjuar; Maria është e mbushur plot trishtim të brendshëm, vetëm pëlhurat janë të trazuara. Duket sikur trupi i Krishtit nuk i peshon. Pozicioni i saj tregon largim, pavarësisht nga shtrëngimi. Rinia e saj krijon kontrast me ikonografinë fetare të zakonshme, duke shkaktuar dyshim.
Domethënia psikologjike: Mëshirë e një nëne së cilës i ka vdekur i biri, apo pushim i një mashkulli mbi krahët e një femre pas përqafimit? Një dykuptimshmëri magjepsëse që bashkon vdekjen me erosin. Skena bën të lindë një turbullim, jo shqetësim, falë ndarjes së trupave: gjesti i Marias nuk është posesiv; pëlhurat e veshjes, një lloj armature, e ndajnë nga trupi i zhveshur i Krishtit; dhe numri 3 që përshkruhet në formën trekëndore të statujës, sjell idenë e ekzistencës së një të treti.
Ato kanë qenë edhe burime aktesh të skajshme
Mona Lisa: gusht 1911, ajo vidhet. Mijëra njerëz sfilojnë në Luvër para vendit bosh të saj! Shihet gjithandej: gazeta, pulla postare, kuti çokollatash… Miti tashmë ka lindur. Dy vjet më vonë, ndalohet një punëtor italian. Ai ishte frymëzuar për t’ia kthyer vendit të tij. Në 1956, një Bolivian e qëllon me gur.
“Mëshira”: Pentecote, 1972, një i çmendur e qëllon 15 herë me çekiç.
Sot të dyja këto kryevepra janë të mbrojtura. Por cila është arsyeja e këtyre vandalizmave? Bëhet fjalë për gjeste paranojake, xhelozi kundër kënaqësisë që njerëzit shfaqin kur shohin një vepër arti, në një kohë që ai nuk është objekt adhurimi? Apo për gjestet e një psikopati që e ngatërron gjënë me përfaqësimin e saj? Meqë nuk munden ta arrijnë objektin e dëshirave të tyre, ata vendosin ta shkatërrojnë.