Ju, që si qëllim në jetën tuaj keni të dobësoheni, sekreti i vërtetë për të fituar garën kundër dhjamit nuk ka të bëjë fare me numërimin e kalorive dhe konsumin e sallatërave pa yndyrë. Dobësimi fillon nga koka
Sa herë, në ditët/javët/muajt e fundit keni shqiptuar fjalinë e mundimshme “Nesër do të filloj dietën”? Dhe sa herë, përpara një ëmbëlsire, keni thënë “Po sikur ta filloj pasnesër?” Këtu qëndron marifeti. Ju do të arrini të dobësoheni vetëm nëse metabolizmi juaj është i lartë sa motivimi juaj për të rënë nga pesha. Dhe nuk është vetëm një çështje predispozite mendore. Sigurisht që forca e vullnetit dhe këmbëngulja janë të domosdoshme, por nuk janë “motorët” e vetëm për të cilët keni nevojë.
Një rol të rëndësishëm luan edhe situata të cilën po përjetoni. Dhe mbështetja që mund të gjeni tek i fejuari, miqtë, familja, kolegët. Eshtë e kotë që sforcoheni të hani karota të ziera dhe kos frutash nëse grindja me të dashurin tuaj ju bën që të dendeni në çokollata e ushqime të tjera si kjo. Ose ju shkrepet që të bini 3 kg nëse në zyrë fillon mbyllja e bilancit dhe jeni e detyruar ta lini palestrën për javë të tëra.
Pastaj, duhet të jeni realiste me situatën. Nuk mund të mendoni që brenda një muaji të kaloni nga masa 46-40. Hapi i parë është, të zbuloni se çfarë ju ndalon të arrini imazhin e ri. Mund të bëhet fjalë edhe për mungesë vlerësimi te vetja dhe tek aftësitë tuaja që ju bëjnë t’ju duket se sakrificat e vogla të dietës janë të pakapërcyeshme.
Ndiqni fazat paradietë që janë bërë për ju nga ekspertët tanë. Do të dobësoheni në mënyrën më të shëndetshme. Dhe do të mësoni se si t’i ruani këto rezultate.
Faza 1: Vendosini vetes qëllime të arritshme
Sa më shumë pesha juaj aktuale është afër qëllimit që i keni vënë vetes, aq më shumë mundësi keni për t’i arritur. Idealja do të ishte të procedonit me hapa të vegjël: kur të keni konsoliduar rezultatin, mund të përqëndroheni në qëllimin tjetër. Por gjithashtu duhet të jeni pragmatike me kohën: idealja është të humbisni 500 g – 1 kg në javë.
Faza 2: Harrojeni “formulën magjike”
Nëse fiksoheni me idenë që ka një mënyrë të përsosur dhe universale për të zbritur gjilpërën e peshores, rrezikoni shumë: sot bini 2 kg, nesër rifitoni 3. Dietat e krijuara sipas mendjes suaj ose sipas modës, ndoshta për momentin funksionojnë, por më pas nuk ju shpjegojnë se si t’i mbani ato rezultate. Dhe sapo i ndërprisni, e rifitoni menjëherë peshën e mëparshme, për të mos thënë që shtoni më tepër. Arsyeja është që ato nuk i marrin parasysh kërkesat individuale. Për më tepër, ju bëjnë të mendoni që, nëse i provoni edhe një herë, ato do të përsërisin magjinë. Dieta, përpara se të ndryshojë peshën, korrigjon metabolizmin. Ja pse këshillohet gjithmonë t’u nënshtroheni analizave të gjakut, që të kontrollojnë funksionimin e tiroides, të mëlçisë dhe vlerat e glicemisë, pra nivelet e sheqerit në gjak, kolesterolit dhe trigliceridet: janë informacione të vlefshme për të filluar një menu dobësuese të personalizuar dhe me të vërtetë të efektshme. Por mos harroni, për ta kontrolluar peshën në mënyrë të shëndetshme, duhet të vini në zbatim strategjitë e duhura, që vetëm një ekspert mund të t’i këshillojë.
Faza 3: Mësoni nga gabimet tuaja
Në të kaluarën keni ndjekur një dietë, por tani i keni rifituar ato kile, madje edhe me “përqindje”? Në vend që të ligështoheni nga dështimet, shfrytëzojini për të mësuar. Rimendoni për zakonet që ju kanë ndihmuar të dobësoheni dhe atyre që, nuk kanë funksionuar. Bëni dy lista: te njëra shkruani aktivitetet që keni vazhduar dhe tek tjetra ato që keni ndërprerë. Lista e parë mund të përfshijë gjëra të llojit “Do të ngrihem nga tavolina përpara se të jem ngopur” ose “Do të bëj një shëtitje në orarin e pushimit të drekës”. Ndërsa lista e dytë mund të përmbajë ide të llojit “Do të ngrihem herët që të shkoj në palestër” ose “Nuk do të ha asnjëherë ëmbëlsirë”. Nëse s’i keni bërë asnjëherë këto gjëra, me siguri që s’keni për të filluar tani. Përqëndrohuni në premtime që mund t’i mbani.
Filloni të humbisni vetëm 10 % të peshës suaj totale. Bëni një pushim dhe mundohuni të ruani rezultatet e arritura. Pastaj, nisuni përsëri edhe një herë!
Faza 4: Jetoni sikur të keni masën 42
Një nga sekretet për t’ia dalë mbanë? Të silleni sikur keni rënë nga pesha. Mos prisni që xhinset t’ju “varen” te vithet që ta doni veten tuaj. Nëse filloni ta trajtoni veten tuaj si princeshë, vetëvlerësimi juaj do të rritet, duke përmirësuar mundësitë që ju mund të hyni në masën tuaj ideale.
“Nuk e pëlqeja më veten: isha shëndoshur sepse nuk arrija të merresha me aktivitet fizik dhe kisha një punë shumë stresuese”, tregon Silvana 31 vjeçe. “Për t’u ngritur moralisht, ndryshova modelin e flokëve, fillova të mos vishesha vetëm me të zeza. Të gjithë, duke filluar nga kolegët e deri te njerëzit me të cilët takohesha, filluan të më konsideronin ndryshe, më pozitivisht. Dhe kjo e shtoi sigurinë dhe vetëvendosmërinë time: në fund gjeta forcën për të rënë 12 kg nga pesha”.
Morali: nëse e pranoni veten përpara se të dobësoheni, nuk do t’i bëni më llogaritë me ato ndjesi negative drejt vetes.
Faza 5: Vazhdoni me gjimnastikën
Do ta keni vënë re edhe vetë: nëse e ndiqni rregullisht kursin e stepit ose vraponi 3 herë në javë, dhjamrat do të “shkrijnë” si bora në diell. Nuk arrini të shkoni rregullisht në palestër? E megjithatë, praktikimi i aktivitetit fizik ju lejon të ndiqni një dietë më pak shtrënguese, sepse digjni më shumë kalori. Përveç të tjerash, çdo lloj ushtrimi ju bën të ndiheni më energjik nga ana mendore. Dhe nëse jeni më mirë me veten, forconi aftësitë për t’u rezistuar tundimeve.
Që të mos hiqni dorë, çdo herë vendosini vetes qëllime gjithnjë e më angazhuese, por të mundshme: do t’ju nxisë dëshirën për të luftuar kundër zakoneve të këqija.
Faza 6: Eliminoni interferencat
Eshtë vështirë që të përqëndroheni te dieta nëse po kaloni një periudhë tersllëqesh: financat tuaja janë për faqe të zezë, nuk gjeni punë ose keni zbuluar që i dashuri juaj ka një tjetër… Përpara se të filloni të eliminoni kaloritë dhe dhjamin e tepërt, identifikoni interferencat e jashtme që mund t’ju hutojnë. Dhe zgjidhini ato. Në çastet e vështira, në vend që të sforcoheni për t’u dobësuar, përqëndrohuni se si të mbani peshën tuaj aktuale. Dhe nëse keni me të vërteta nevoja, mos i mohoni vetes asgjë.
Shikojeni veten të dobësuar. Do ta pranoni veten menjëherë dhe do të gjeni forcën për të rezistuar
Faza 7: Mendoni (edhe) për shëndetin
Eshtë edhe një aspekt tjetër që mund të funksionojë si shtysë: ju mjafton të humbisni atë 10 % të peshës për të ulur rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, artritin dhe disa forma të tumorit. Pa marrë parasysh që sistemi juaj imunitar do të forcohet tej mase. Pra, sa herë që të bëheni gati të zgjasni duart drejt patateve të skuqura, mendoni për këto avantazhe. Më mirë hani një mollë, do të ishte më e leverdisshme për ju. Ajo që bëni për të mbajtur nën kontroll peshën duhet të jetë e njëjta gjë që bëni për të përmirësuar shëndetin tuaj.
Faza 8: Merrni përsipër përgjegjësitë
“Arrita të mos shëndoshesha më kur kuptova që, për të mbajtur ato 50 kg që i kisha fituar me aq mundim, varej vetëm nga unë. Dhe nuk ishte faji i shoqeve të mia që më tundonin me pije apo i të dashurit tim që më ftonte çdo natë për darkë”, tregon Ana, 31 vjeçe. Kjo është një sjellje e atyre që kanë arritur të dobësohen përgjithnjë. Sepse siç ju thamë edhe më sipër, përpara se të bëheni e masës M në garderobë, duhet të bëheni në mendje.
Ej, mos u bëni “Permareksike”
Personat që mbajnë dietë, nga dëshira për të qenë gjthmonë të dobët, kthehen të fiksuar nga kjo ide. Ekspertët e kanë quajtur “permarexic”, ose në dietë të përhershme, pothuajse në kufijtë e anoreksisë. Bëhet fjalë për një problem ushqimor shumë të rrezikshëm që mund t’i shkaktojë dëme serioze organizmit. Në fakt, sa herë që mbani dietë ose përqindja e yndyrnave, karbohidrateve dhe proteinave të marra nga trupi ynë ndryshon, shpërthen një “përgjigje” në të gjithë trupin: duke filluar nga proceset e tretjes, që duhet të përshtaten me llojin e ri të ushqimit. Por nëse ndryshimet janë shumë të shpeshta, rreziku është sindroma e lodhjes metabolike, siç e quajnë mjekët. Pra, ndodh një rëndesë e punës së mëlçisë dhe veshkave, të detyruara për të riekuilibruar organizmin. Simptomat? Lodhje, dhembje koke, kapsllëk, diarre dhe probleme me tretjen, nga fryrja tek urthi. Pra, kujdes, mos e teproni!