Cilët janë personat më të rrezikur nga temperaturat e larta

Ardhja e stinës së verës shoqërohet me rritje temperaturash si dhe me dëshirën tonë të madhe për tu ekspozuar sa më shumë në diell. Ne mund të ndihemi mirë në diell, sidomos kur kemi dalë nga stina e dimrit. Por, kujdes! Qëndrimi i gjatë në diell mund të sjellë pasoja dhe probleme të shumta për shëndetin.

  • Foshnjat dhe fëmijet: janë të ndjeshëm ndaj efekteve të temperaturave të larta për shkak se metabolizmi i tyre ndryshon nga metabolizmi i të rriturve, qëndra e rregullimit të temperaturës është e papjekur, aftësia për djersitje është më e pakët, masa e trupit është e vogël.
  • Të moshuarit: përbëjnë grupin më të madh të përcaktuar si grup në rrezik për shkak të nxehtësisë. Te të moshuarit ulet toleranca ndaj nxehtësisë, etja ndjehet vonë, reagimi i djersitjes është i vonuar dhe numri i gjëndrave të djersës është i reduktuar.
  • Individë me sëmundje kronike: Pothuajse të gjithë personat me sëmundjet kronike paraqesin një rrezik për përkeqësim të sëmundjes kronike apo për vdekje për shkak të nxehtësisë. Sëmundjet që paraqesin më shumë rrezik janë hipertensioni, sëmundje të zemrës; astma bronkiale, bronkiti kronik, pneumopatia obstruktive kronike; diabeti, insuficienca e veshkave, çrregullimet psikiatrike si skizofrenia, depresioni, demenca, gjëndjet febrile, etj.
  • Personat që janë përdorues të rregullt të medikamenteve të ndryshme mjekësore: Shumë ilaçe mund të ndikojnë drejtpërdrejt në mekanizmat qëndrore e periferike të termorregullimit, duke ndikuar në djersitje, në zgjerimin e enëve të gjakut të lëkurës, në rritjen e punës së zemrës dhe eliminimin e nxehtësisë.
  • Personat që punojnë në vende me temperatura të larta ose në ambiente të hapuara (jashtë): Kushdo që punon jashtë në një mot të nxehtë, pa mbrojtjen e duhur, sidomos nëse ka edhe aktivitet fizik të rëndë, është në rrezik për shkak të efekteve të të nxehtit në shëndet.
  • Personat që bëjnë aktivitet fizik të rëndë.
  • Njerëzit që jetojnë në apartamente në katet e sipërme.
  • Grupet e popullsisë me kushte sociale jo të mira, individë të pastrehë,etj.

femra-moderne.com