Dhurata Thanasi risjell gatesën tradicionale të nondajave tironse: Ja si të përgatisni Tutmaç

Tutmaçi është një emër pjate që për shumëkënd mund të jetë i padëgjuar dhe si rrjedhojë krejt i panjohur. Kjo nuk vlen për shumë familje tiranase, të cilat e kanë gatuar këtë gjellë- që e ka origjinën  nga kuzhina osmane- duke ia përshtatur “mideve” dhe krijimtarisë kulinare të “ijeve” dhe “nondajave” tiranase, të cilat e kanë sjellë tutmaçin ndër gjenerata.

Tutmaç, ose tutumaši etj, vjen nga gjuha turke dhe do të thotë pastë/njëlloj brumi, i cili ose hidhej nëpër gjellë apo supa për t’i trashur ose hapej në petë të trasha apo holla sipas dëshirës, dhe mbusheshe me përbërës të ndryshëm, të gatuar ose të gjallë. Në kuzhinën e trevës së Tiranës, kjo gatesë ka zënë një vend të rëndësishëm gjatë periudhës së dimrit, bazuar dhe në përbërësit e saj që janë petët, mishi i grirë, orizi dhe qepët. Duket sikur tiranasit kanë dashur të zëvendësojnë dollmatë apo sarmatë me lakra që dibranët gatuanin.

Duke marrë parasysh që në antikitet, në territorin e Tiranës, nuk rriteshin lakra të bardha, pasi kjo e fundit ishte kulturë bujqësore e vendeve të ftohta, bën kuptim që një element i vetëm pra petët e byrekut, të cilat zëvendësojnë fletët e lakrës së bardhë, të ndryshojnë krejtësisht emrin e gatesës. Kësisoj kuzhina tiranase shpalos një tjetër element të kulturës së saj buknore duke na ofruar këtë gatim të shijshëm, si një urë lidhëse ndërmjet byrekut dhe sarmave.

Si të përgatisni Tutmaç

  • Turmaçi nuk është gjë tjetër veçse petë byreku të mbushura me qepë, pak oriz të skuqur dhe mish të grirë të aromatizuar me piper të zi.
  • Petët mbushen dhe u jepet forma e japrakëve ose sarmave dhe vendosen në një enë (në antikitet enë balte të mbuluara), radhë pas radhe, mbulohen dhe lihen të gatuhen në avullin që krijohet në brendësi të enës.

Shumë familje tiranase kanë ofruar fantazinë tyre për t’i dhënë një prekje personale. Rrjedhimisht,  tutmaçin hera herës e gjejmë të shoqëruar me pak limon dhe vaj sipër, elementë që dukshëm shtojnë shije dhe lezet në pjatë. Gjithsesi, tutmaçi, edhe pse vjen si pjatë nga kultura kulinare osmane, është dhe mbetet një pasuri kulinare e kulturës buknore tiranase.

Nga DHURATA THANASI