Bathët, bizelet dhe soja mund të jenë aleatët më të mirë për ato duan të humbasin kilet e tepërta, por jo energjinë.
Mishi dhe peshku nuk janë pasioni juaj. Por edhe nëse jeni me dietë, nuk mund të hiqni dorë nga proteinat. Një zgjidhje e mirë mund të jetë synimi mbi ushqime me të njëjtën fuqi ushqyese. Stina e verës ofron disa prej tyre, në mënyrë të veçantë të freskëta, të lehta dhe të tretshme. Bëhet fjalë për bathët, bizelet, sojën.
Ushqejnë dhe ngopin
Bishtajoret arrijnë t’ju ngopin me përmbajtjen kalorike që kanë. Përveç kësaj, përmbajnë fibra, karbohidrate të përbëra dhe përfaqësojnë një burim të mirë proteinash bimore, gati krejtësisht të ngjashme me ato shtazore. Në krahasim me këto të fundit, kanë një aminoacid më pak. Por që ndodhet te drithërat.
- Kombinojini me orizin, elbin ose me grurin e fortë, për t’i kthyer në zëvendësues të vlefshëm të mishit. Dhe për të realizuar pjatanca të shijshme, por të lehta.
- Përgatisni për 4 ditë në javë një pjatë të vetme, të përbërë nga 2/3 drithëra dhe 1/3 bishtajore (për shembull, 80 g oriz dhe 40 g bizele). Pastaj plotësojini me ushqime të gjalla.
- Vakti i dytë parashikon një pjatë me perime dhe sallamëra pa dhjamë ose djathë pa yndyrna, si dhe një sallatë frutash. Duke përjashtuar ditën e lirë të javës, ju mbeten dy ditë, ndarë midis dy drekave me bazë sallatën e bishtajoreve të përziera, por pa drithëra, një frut; dhe dy darkave me 70 g makarona me perime dhe një vezë me sallatë.
- Në mëngjes, është shumë mirë të konsumoni një gotë me qumësht pjesërisht të skremuar me 3 feta bukë të biskotuar dhe pak reçel, që mund të alternohet me një kos me 20 g floçka tërshëre dhe lëng frutash të shtrydhura. Me këto udhëzime të thjeshta, do të humbisni deri në 4 kile për 3 javë.
Soja
Filiza, kokrra të freskëta ose të thata. Kështu paraqitet soja. Me këtë bishtajë përgatiten shumë ushqime të tjera: hamburgeri, qumështi, tofu (një lloj djathi). Madje dhe akullorja.
- Konsumojeni një ose dy herë në javë, sepse është veçanërisht proteinike: 100 g kokrra soje furnizojnë me 36 g proteina, kundrejt 20 grameve te biftekut te viçit në të njëjtën sasi. Për të ndryshuar, mund të përdorni hamburgerat e sojës, shoqëruar me perime ose mund të përgatisni një sallatë të përzier me filizat e saj dhe karkaleca deti të zier e të kaurdisur.
Bathët
Bathët janë bishtaja më pak kalorike (vetëm 40 kalori për 100 g). Mund të konsumohen edhe të gjalla: të freskëta janë të shijshme dhe të shëndetshme (kripërat minerale me të cilat janë të pasura, kalium, kalcium dhe fosfor, nuk humbasin me gatimin).
- Konsumoni 2-3 racione në javë. Janë shumë të mira edhe të kaurdisura në tigan, me 70 g makarona. Ose mund t’i zieni së bashku me një ose dy patate të vogla, t’i bëni pure dhe t’i rregulloni me pak vaj ulliri.
Bizelet
Praktikisht pa yndyrna, ato furnizojnë me vitaminë E, që ka veti antioksiduese, d.m.th antiplakje.
- Konsumojini dy herë në javë. Receta më klasike i parashikon së bashku me orizin ose makaronat, por mund të realizoni edhe një pure verore shumë të shijshme dhe të tretshme: ziejini, pastaj kalojini në mikser, shtoni pak lëng mishi, përziejini dhe lërini të ftohen. Shoqërojeni me një racion djathë të freskët ose me 70 g sallatë sallamërash.
Po
Për konsumimin e bishtajoreve të freskëta brenda 2-3 ditëve. Më pas mund të goditen nga një kërpudhë helmuese.
Jo
Për konsumimin e bizeleve dhe sojës të gjallë, nëse keni probleme me tretjen. Për t’i bërë të lehta është mirë që t’i zieni gjithmonë.