Ekspertët apelojnë: Po konsumohen gjithnjë e më shumë antibiotikë
Përdorimi i pakufizuar i antibiotikëve është shkaku kryesor për rritjen e infeksioneve që u rezistojnë barnave. Është fakt që tani infeksionet i marrin jetën më shumë se një milion njerëzve në vit, në të gjithë botën.
Një rritje dramatike e konsumit global të antibiotikëve ka bërë që ekspertët e shëndetit publik të apelojnë për strategji të reja, për të vënë nën kontroll përdorimin e tepruar të këtij ilaçi.
Nëse nuk merren masa, sipas ekspertëve, shifrat do të rriteshin në mënyrë të frikshme. Pavarësisht përpjekjeve për të inkurajuar përdorimin më të kujdesshëm të antibiotikëve, një ekip ndërkombëtar kërkuesish ka zbuluar një rritje prej 65 për qind të konsumit të antibiotikëve në botë, krahasuar me vitin 2000.
Ekspertët sugjerojnë për investime më të mëdha për të siguruar ujë të pastër, kushtet e duhura sanitare dhe vaksinat, në vendet ku sëmundjet infektive janë më shqetësuese.
Gjithashtu sipas ekspertëve, sistemi modern mjekësor është ndërtuar mbi bazën e antibiotikëve efikasë dhe, nëse këta antibiotikë nuk funksionojnë më, nëse bakteret bëhen rezistentë ndaj shumicës prej tyre, atëherë mjekësia do të ishte në telashe. Dhe shëndeti i popullatës botërore në rrezik për jetën.