Flokët: Si të mbash në rregull një prerje të shkallëzuar

Kur i kreh flokët te parukierja janë të përsosura. Kur të bie radha ty, ajo krehje aq shumë moderne bëhet një katastrofë e vërtetë. Por, me disa lëvizje strategjike, mund të bëhesh një “zbutëse flokësh”

Më të gjatë në zverk, me shkallëzim te pjesa e anësoreve, disa cullufe asimetrike. Sapo keni dalë nga parukierja dhe jeni krenare për prerjen tuaj të re kaq moderne. Por kur vjen radha për ta larë kokën, mjafton që me larjen e parë dhe pendoheni për këtë prerje që i bën flokët të pazbutshëm dhe kokën të duket si shkurre. Ja disa marifete për ta mbajtur në rregull modelin e ri të flokëve.

Zgjidhni shampon e duhur

Larësi dhe balsami duhen zgjedhur në bazë të efektit që doni të arrini. Përveç produktit, ka rëndësi edhe mënyra se si i lani, që duhet të tregoni kujdes. Teknika më e mirë është poshtë dushit, asnjëherë me kokë poshtë në vaskë ose në lavaman, sepse rrezikojnë të bëhen nyje. Shampoja duhet holluar në pëllëmbën e dorës me pak ujë dhe pastaj të masazhohet në kokë. Pas shpëlarjes së fundit, krihini flokët me një krëhër druri me dhëmbë të gjerë.

Nëse janë të drejtë

Ndihma e domosdoshme vjen gjithmonë nga produktet e stilimit që aplikohen gjithmonë në flokët e lagur, tufë për tufë, që nga rrënjët. Për t’i dhënë shkallëzimit pak lëvizshmëri, më mirë përdorni disa bigudina ose piastrën që dredh flokët. Nëse nuk i keni në dispozicion, krijoni disa rrotullame duke mbështjellë pak pambuk brenda një letre të veshur me kallaj. Rrotullojini flokët rreth saj dhe mbylleni duke i bërë nyje cepat e tyre. Thajeni komplet kokën me një tharëse me difuzor dhe spërkateni me pak llak. Mos harroni që temperatura e tharëses duhet rritur gradualisht, nga e ftohta në të vakët.

Nëse janë me onde

Pasi t’i keni larë, aplikoni një dozë shkume specifike për flokët kaçurrel. Lërini të thahen vetë duke mos i prekur cullufet. Kur të jenë tharë, vendosni pak dyllë për të modeluar majat dhe për të theksuar prerjen. Nëse nuk doni ta mbani kokën të lagur për një kohë të gjatë, pasi të keni vënë shkumën, thajini me një tharëse me difuzor dhe gjithmonë me temperaturë mesatare.

recursing-snyder.88-198-36-142.plesk.page

Start typing and press Enter to search