Jetoni me prindërit? Ja si duhet te veproni

Vajzat “e rritura” dhe marrëdhëniet me prindërit

Tani jeni në moshë madhore dhe ka ardhur momenti të shkëputeni nga kushtëzimet që keni në lidhje me prindërit tuaj. Edhe pse është diçka më e fortë se ju: nuk merrni asnjë vendim të rëndësishëm pa pëlqimin e prindërve tuaj, ja si t’i kapërceni shantazhet, varësinë dhe ndjesitë e mundshme të fajit.

Mendonit se ishit rritur, ishit bërë A.E.P.: Autonome-E emancipuar-E pavarur. Një njeri që e di se çfarë do dhe nuk pyet askënd, aq më shumë nënën dhe babain. Megjithëse tani keni një shtëpi tuajën, një punë të mirë, një të fejuar, nuk arrini të çliroheni nga ideja që duhet të kërkoni gjithmonë mendimin e prindërve tuaj. Por a nuk ka ardhur koha që t’i ndërpritni këto kushtëzime? Dhe mbi të gjitha, si vazhdoni të bini në kurth?

Frikë se mos humbisni dashurinë e tyre

Të heqësh dorë nga mbrojtja e prindërve është një hap i vështirë për të gjithë. Pra, është normale që nuk vendosni për shumë gjëra dhe për t’u siguruar kërkoni aprovimin e prindërve. Kur vendosni vetë keni frikë se mos humbisni dashurinë dhe respektin e tyre. Ja një shembull që na sjell Klara, 32 vjeç, nënpunëse. “Kam që në Universitet që jetoj vetëm. E megjithatë nuk rri pa u këshilluar me prindërit e mi për çfarëdolloj gjëje. Jam më e qetë kur marr aprovimin e tyre. Ose ndoshta kam frikë se mos dëgjoj shprehjen e urryer: “Të kisha thënë”. Ju nuk do të rriteni nëse bëni të kundërtën e atyre që duan ata. Për të zhvilluar një shpirt kritik me të vërtetë të vetëmjaftueshëm duhet të arrini të vendosni atë që është më e mirë për ju, por pa kushtëzime.

Kështu mësoni të përdorni mendjen (tuaj)

Largimi nga shtëpia duhet përballuar me qetësi, pa u paralizuar nga ndjesitë e fajit. Përse preken menjëherë kur merrni një vendim pa u këshilluar me ta? Ndoshta sepse ky lloj zakoni tek ne ende do shumë kohë për t’u pranuar. Thellë brenda vetes ndieni një dëshirë që t’ua shpërbleni meqë i keni braktisur. Pra nga njëra anë ju ikni, nga ana tjetër për të fshirë ndjenjat tuaja të fajit, vazhdoni të bëni ato që ju thonë. Nuk duhet të kërkoni falje duke hequr dorë nga pavarësia. Gjeni mënyra të tjera për t’u treguar që i doni shumë. Për shembull, nëna juaj ju mban mëri sepse keni vendosur të ndërroni fakultet pa u konsultuar me të. Në vend që të ndiheni keq, lini të kalojnë disa ditë, dhe më pas çojeni në kinema ose për shopping. Do të shikoni që marrëdhëniet do të jenë të mira, pa hequr dorë nga të menduarit të pavarur. Kjo nuk do të thotë që ju të mos ua vini veshin mendimeve të tyre: do të ishte një budallallëk të hiqnit dorë nga mbështetja dhe përvoja që mund t’ju ofrojnë. Kini parasysh vlerat dhe zgjedhjet që ata kanë bërë në jetën e tyre. Pra, pranoni pikëpamjet e tyre por ndiqni prioritetet tuaja. Derisa të vazhdoni të vareni nga gjykimi i të tjerëve do ta keni të vështirë të ndërtoni një vetëvlerësim të mirë dhe të keni respekt për veten.

Ruani sekretin mbi marrëdhënien tuaj në çift

Provojeni një herë t’i tregoni babushit xheloz që i fejuari juaj është sjellë keq me ju. Sapo ai t’i dalë përpara, do ta bëjë peshk. Varet nga marrëdhënia që keni patur me prindërit, se me kë lidheni dhe si silleni në çift. Nëse nëna juaj ju streson që të fejoheni me një profesionist, ju bëni të kundërtën, lidheni me një muzikant që s’ka asnjë qindarkë në xhep. Kjo nuk është një rastësi. Dhe këtë e di shumë mirë edhe ajo vetë. Shumë prindër janë viktima të sindromës së “Princeshës” -mendojnë që “vogëlushja” e tyre meriton më të mirën. Domethënë të pamundurën, ku askush, të paktën në këtë planet, do t’u përgjigjet kërkesave të tyre.

Bisedoni lirshëm mbi punën dhe karrierën

Për punën dhe karrierën mund të flisni shumë lirshëm me ta dhe mund t’ju këshillojnë shumë mirë. Nëse shefi juaj është treguar me ju është e vështirë që babait tuaj t’i hipë gjaku në tru: do të qëndrojë i kthjellët dhe do t’ju këshillojë lëvizjet e duhura për t’i treguar vendin. Kjo largësi e shëndetshme bashkë me përvojën, i bën prindërit tuaj bashkëbisedues të vlefshëm. Nëse gjatë jetës së tyre në punë kanë arritur rezultate të mira, ndiqni shembullin e tyre: nëse kanë arritur diku është sepse nuk kanë pretenduar gjithçka dhe menjëherë. Një ves që, ndoshta, nëse jeni të moshës 20-30 vjeç, ju përket edhe disi juve…

prender2

Fushë e lirë përsa u përket parave

Shpesh, të flasësh me ata për paratë nuk është një zgjedhje, por një nevojë. Nëse doni të bëni një master ata janë të gatshëm të bëjnë çmos vetëm që t’jua lehtësojnë gjërat. Ndihma e tyre bëhet e rëndësishme për të realizuar ëndrrat tuaja, pra bëhet gjithmonë e më e vështirë të hiqni dorë. Por, ky mund të jetë një kurth. Mesazhi që regjistroni është: “Do të kem gjithmonë nevojë për ata kur dua të bëj diçka në jetë”. Si të dilni nga kjo gjë? Nëse ju japin hua, përpiquni t’ua ktheni. Nëse nuk keni mundësi për t’ua kthyer të gjithë shumën, bëjeni pjesë pjesë. Pothuajse të gjithë prindërit kanë mësuar artin e të kursyerit: thuaju që t’jua mësojnë edhe juve, kështu që do të shmangni probleme të tilla.

Mbajeni gojën mbyllur përsa u përket shkeljeve të rregullave

Do t’ju ketë ndodhur që ndonjëherë e keni tepruar me të pirët dhe i është dashur shoferit të taksisë t’ju shoqërojë deri në shtëpi, e të tjera si kjo. Më mirë mbajeni gojën mbyllur përsa u përket këtyre gjërave. Shkeljet e rregullave shërbejnë vetëm për të thyer ato skema të mësuara në familje dhe të eksperimentoni rrezikun. Përpara syve të prindërve këto gjëra përfaqësojnë një dështim, shenjë që nuk kanë qenë të aftë t’ju mësojnë vlerat e tyre. Ja pse duhet t’ju bëjnë moral: mbrojnë vetveten dhe ruajnë pozicionin e tyre. Pra, më mirë ndiqni instiktin tuaj dhe mbajeni gojën mbyllur. Vetëm, mos e teproni!

Jetoni me prindërit? Veproni kështu

  • Bëjini gjërat të qarta. Që të trajtoheni si e rritur, filloni të silleni si e tillë: mbani në rregull dhomën tuaj, lani rrobat vetë. Do ta keni më të lehtë të pretendoni respekt. Dhe do të shmangni shprehjen: “Kjo shtëpi nuk është hotel!”.
  • Tregoni gjithçka. Nëse prindërit tuaj do të kalojnë një fundjavë larg shtëpisë dhe ju planifikoni një 24 orësh me të fejuarin tuaj, më mirë tregohuni e sinqertë dhe thuajuni që do të keni mysafirë. Kështu që, nëse ata kthehen më shpejt nga ç’e kishin parashikuar, atij nuk do t’i duhet të futet në dollap.
  • Mos kini ndjesi faji. Nëse po studioni ose po kërkoni punë, fakti që prindërit tuaj po ju “strehojnë” do të thotë vetëm që ata po ju ndihmojnë të realizoni ëndrrat tuaja. Prandaj, nuk keni pse ndiheni një parazit. Por përpiquni që t’i paguani vetë këpucët e shtrenjta, makijazhet etj.

recursing-snyder.88-198-36-142.plesk.page

Start typing and press Enter to search