Lexoni në shtrat pa ju dhembur shpina

Të shfletosh një libër ose një gazetë, duke qëndruar shtrirë, është një kënaqësi e vërtetë. Ndërsa trupi çlodhet mendja dëfrehet. Por e rëndësishme është të zgjedhësh pozicionin e duhur për të shmangur dhembjet dhe tensionet muskulore

Të lexosh në shtrat është një kënaqësi e padiskutueshme. Ndërsa  trupi çlodhet, mendja “bën gjimnastikë”. Por ky çast i bukur mund të prishet nga tendosjet dhe dhembjet muskulore që shfaqen sepse, duke i hyrë thellë romanit ose revistës, nuk keni mendje për t’u shtrirë në pozicionin e duhur. Dhe, pas pak, keni dhembje në të gjithë trupin. Shqetësimet shfaqen sidomos tek ata persona që nuk bëjnë aktivitet të rregullt fizik ose janë më shumë se 50 vjeç. Qoftë jeta sedentare, qoftë mosha mund t’i bëjnë muskujt, tendinat dhe nyjet më pak elastike. Ato, duke qenë të detyruara të qëndrojnë për një kohë të gjatë në pozicione jo të natyrshme, reagojnë me dhembje. Për të shmangur këto shqetësime, po ju japim disa këshilla që do t’ju ndihmojnë të ndiheni mirë duke qëndruar në pozicionin tuaj të parapëlqyer.

Nëse rrini në një anë

Nëse keni probleme me artrozën, mos lexoni duke qëndruar në një anë, që të mos theksoni dhembjet në shpatull. Shqetësime të tjera të mundshme janë kur krahu bën miza, por edhe një si dhembje në këllk.

Veproni kështu Rrotulloni pak legenin në mënyrë që të keni një pjesë të barkut të mbështetur në shtrat. Përkulni këmbën: për shembull, nëse jeni shtrirë në anën e majtë, përkulni të djathtën në mënyrë që pulpa të mbështetet mbi të majtën që qëndron drejt. Eshtë një pozicion antalgjik, që ju lejon të mos ndieni dhembje.

Këshilla Që krahu të mos ngurtësohet, pas një çerek ore, në vend që të përkulni kokën mbi bërryl, përkulni parakrahun dhe mbështeteni së bashku me kokën në një jastëk 10 cm të lartë. Por koka dhe qafa duhet të jenë në një vijë me trupin.

Nëse qëndroni me bark poshtë

Ky pozicion mund të shkaktojë dhembje në zonën e mesit, sepse e detyron shtyllën kurrizore të rrijë e harkuar. Përveç të tjerash, mund të shkaktojë dhembje koke, një tension të fortë të muskujve të qafës dhe të shpatullave.

Veproni kështu Vendosni një jastëk poshtë gjoksit: ideal është modeli francez, ai si rrotull. Nëse e mbështesni mjekrën te jastëku, do të arrini të lexoni pa e afruar shumë fytyrën te libri.
Pozicioni është i përkryer për ata që vuajnë me qafën, sepse nuk e shtrembërojnë përkuljen e saj. Nëse vuani nga shpina, vendosni një jastëk 5 cm të lartë poshtë barkut. Nuk e lë shtyllën kurrizore të marrë një pozicion jo natyral.

Këshilla Për të parandaluar atë ndjesinë miza miza te duart, herë pas here bëni “streching”: hapni mirë pëllëmbët, zgjasni gishtat, pastaj mbyllini grusht.

Nëse shtriheni me shpinë

Zgjidhja më e mirë për të mos e detyruar trupin të rrijë në pozicione jo natyrale është të rrimë shtrirë, por jo komplet horizontalisht. Shpina duhet të jetë pak e ngritur.

Veproni kështu Nëse balli i shtratit tuaj është i mbushur, vendosni një jastëk pas shpinës: duhet të pozicionohet midis zonës së mesit dhe shpatullave. Përndryshe përdorni dy: një në pozicionin që sapo përshkruam, tjetrin sipër, pas kokës. Këmbët janë të përkulura, krahët dhe shpatullat të shtendosura dhe mjekra drejt dhe jo shumë e përkulur drejt qafës.

Këshilla Nëse keni dhembje në kërdhokull mos i mbani këmbët të përkulura për një kohë të gjatë. Herë pas here ngrini këmbët dhe së bashku kontraktoni dhe lëshoni muskujt e këmbëve: është një ushtrim që stimulon qarkullimin e gjakut.

Po

Nëse vuani nga dhembjet e mesit, lexoni në shtrat. Gjeni një jastëk të mbushur me bërthama qershie, ngroheni për pak në furrën me mikrovalë dhe vendoseni në pjesën që ju dhemb. Efekti është i menjëhershëm.

Jo

Mos lexoni libra ose revista shumë të rënda në shtrat, sidomos nëse jeni shtrirë me shpinë. Pas pak krahët dhe këmbët, që janë të detyruara të mbajnë peshën, fillojnë të mpihen e të bëjnë miza miza.

femra-moderne.com

Start typing and press Enter to search