Majoneza e bërë në shtëpi

Majoneza konsiderohet si mbretëresha e salcave,u jep një shije të veçantë shumë pjatave, duke filluar nga perimet deri te peshku, nga mishi i zier te vezët.

Kjo salsë është ndër më të dashurat dhe të shfrytëzuarat në kuzhinë. Dhe e bërë në shtëpi ka një shije tjetër, shumë të veçantë. A doni ta provoni edhe ju? Ndiqni recetën tonë dhe nuk do të gaboni.

Përbërësit për katër persona janë:

  • 2 të verdha veze,
  • 1 gotë vaj ulliri
  • lëngu i një limoni të vogël

> Hiqni vezët nga frigoriferi të paktën 2 orë përpara përdorimit. Më pas thyejini duke i ndarë të verdhat veç në një tas. Shtoni disa pika limon, që e keni kulluar më parë me një kullojse.
> Gotën me vaj hidheni në një poçe me grykën në formë sqepi, më pas filloni hidheni tek të verdhat e vezëve, në fillim me pika pastaj më shumë, duke i rrahur me një rrahëse vezësh, gjithmonë në të njëjtin drejtim.
> Shtoni disa pika limon kur majoneza të fillojë të formohet: lëngu shërben për ta holluar dhe për të lehtësuar rrahjen. Nëse doni, në vend të limonit mund të përdorni 2 lugë uthull.
> Vazhdoni të shtoni vajin e mbetur, gjithmonë nga pak. Kur në sipërfaqe të salcës mbesin pika vaji, do të thotë që nuk thith më, pra është gati.

Me rrahësen elektrike bëhet më shpejt

> Fusni të verdhat e vezëve në mikser, shtoni pak kripë, 1 lugë lëng limoni dhe 1 lugë vaj. Vendosni kapakun dhe rrihini pak, aq sa të mjaftojë për të përzierë përbërësit.
> Filloni të hidhni vajin te vrima që ndodhet në kapakun e mikserit. Kur salca të ngjeshet, rrisni shpejtësinë derisa të trashet.

SOS: salca është çmendur!

Nëse vini re që të verdhat e vezëve dhe vaji ndahen duke formuar disa “bulëza”, do të thotë që salca është “çmendur”. Por mos u frikësoni, gjë që rregullohet.
Bëni kështu: në një tas tjetër hidhni një të verdhë veze dhe shtoni disa pika limon. Pastaj përziejini me një shpatull, duke shtuar majonezën nga pak, tamam siç keni bërë me vajin. Kur të shikoni që po ngjeshet mund të shtoni pak dozën e salcës, derisa ta përfshini të gjithën. Në fund, shtoni disa pika lëng limoni.

 Sekrete 

> Lëngun e limonit mund ta kulloni direkt kur jeni duke e shtrydhur, duke vendosur një garzë që e keni lagur më parë.
Nëse me mikserin salca bëhet shumë e trashë për shijet tuaja, zbuteni me pak lëng mishi të ftohtë.
> Nëse doni një salcë shumë të butë dhe e bëni me mikserin, përdorni 1 vezë të plotë dhe 2 të verdha.
> Mos harroni që të ftohtët është armiku më i keq i majonezës; prandaj përpara se ta bëni, sigurohuni që të gjithë përbërësit të jenë në temperaturën e ambientit.
> Majonezën mos e lini kurrë në kontakt me lugë të argjendta: u bën keq të dyjave, sepse argjendi njolloset dhe majoneza merr një shije jo të mirë.
> Majoneza e bërë në shtëpi, e mbyllur në një kavanoz mund të rezistojë në frigorifer edhe një javë.

recursing-snyder.88-198-36-142.plesk.page

Start typing and press Enter to search