Në kategorinë e personave që janë me diabet, por nuk e dinë, ka edhe nga ata, te të cilët sëmundja mund të konsiderohet “embrionale”. Paradiabeti është një gjendje e karakterizuar nga vlera të larta të sheqerit në gjak, pra, më të larta se norma, por jo aq sa për të diagnostikuar një gjendje diabeti efektiv.
Në diabetologjinë moderne ka vite që flitet për konceptin e paradiabetit, që realisht përbën shumicën e pacientëve të padiagnostikuar. Koncepti i paradiabetit nuk është vetëm klinik, por mbështetet mbi këto parametra biokimikë:
- Niveli mesatar 3-mujor i sheqerit në gjak ose HbA1c 5.7% – 6.4%,
- niveli esëll i sheqerit në gjak nga 100 – 125 mg/dl
- dhe së fundmi niveli pas 2 orëve të ngarkesës me sheqer 140 mg/dl – 199 mg/dl”, thekson dr. endokrinolog Dashamir Gjergji.
Por, cila është skema apo mekanizmi që ndihmon për të penguar avancimin e sëmundjes? Doktori na jep disa këshilla, të cilat bëjnë të mundur reduktimin e rrezikut të kalimit nga paradiabetikë në të sëmurë me diabet.
- Aktiviteti, të paktën 30 minuta deri 60 minuta në ditë ecje. Ideale është të ushtroheni fizikisht çdo ditë ose minimalisht 5 ditë të javës.
- Së dyti, rënia nga pesha. Qëllimi është të reduktohet 5% e peshës trupore e për të arritur këtë duhet tentuar të ulen 2 deri ne 4kg 2 -3 muajt e parë. Nevojiten të vendosen objektiva të mundshme në këtë drejtim.
- Së treti, ushqimi i shëndetshëm, zëvendësoni yndyrat (sidomos yndyrat e ngopura) me produkte ushqimore me të pranueshme. Merrni 5 porcione në ditë fruta dhe perime.
- Së katërti, gjumi normal. Të evitohen lodhjet ekstreme, punët me orar të zgjatur etj. Gjithmonë në balancë puna dhe pushimi.
- Dhe së fundmi duhet t’i thoni stop duhanpirjes nëse nuk doni që gjithë jetën të vuani nga diabeti dhe pasojat e tij.
ÇFARË DUHET TË BËJË NJË PERSON ME PARADIABET, QË TË MOS ZHVILLOHET PLOTËSISHT DIABETI NË TRUPIN E TIJ
• Mbani peshën ideale. Mbipesha dhe diabeti janë si “motër e vëlla”, ndaj një trup mbipeshë e ka të vështirë të prodhojë dhe të përdorë insulinën rregullisht. Një peshë e shëndetshme ndihmon që të mos prekeni nga tensioni i lartë dhe sëmundje të zemrës. Këshillohet një rënie graduale nga ½ deri 1kg në javë e më pas të mbahet, sesa rëniet e mëdha në të shumtën e rasteve rikthehen në gjendjet e mëparshme.
• Ushqehuni ne menyre të shëndetshme.
• Ngrënie të rregullta, 3 vaktet kryesore, kjo mban stabël sheqerin në gjak dhe nën kontroll oreksin.
• Duhet të përfshijnë ushqimet me karbohidrate në çdo vakt, si p.sh drithëra, bukë, oriz, makarona, etj..
• Duhet të konsumojnë sa më pak sheqer. Këshillohen të përdoren produkte me nivele të ulura të sheqerit, ose produkte pa sheqer.
• Të konsumojnë më pak yndyra dhe ushqime te skuqura. Ushqimet me yndyrë dhe të skuqurat përbëjnë risk për dëmtime të zemrës si dhe favorizojnë mbipeshën.
• Të konsumojnë fruta dhe perime 5 porcione në ditë. Preferohen të merren fruta dhe perime të freskëta, ose lëngje natyrale frutash. E mira do ishte që frutat të konsumohen gjatë ditës dhe në darkë të shërbehen perime dhe zarzavate.
• Përdorni me kujdes vajin e peshkut. Vaji i peshkut mbron dhe forcon zemrën dhe duhet të jetë të paktën 1 herë në javë pjesë e dietës te këta persona dhe ideale do ishte që kjo sasi të merrej në rrugë natyrale, nga sardelet, salmoni, ton i freskët, makareli etj..
• Të konsumojnë më pak kripë. Kripa e tepërt bëhet shkak për rritjen e tensionit në gjak e për pasojë dëmtime të zemrës dhe të trurit. Duhet të përdorim sa më pak kripë, të mos mbajnë enën e kripës në tavolinë gjatë ngrënies, të përdorin bimë dhe gjëra pikante për shije në vend të kripës.
• Duhen përjashtuar nga dieta ushqimet e procesuara si patatina, fast food, mish i konservuar.
• Duhet kufizuar përdorimi i alkoolit. Rekomandohet të merren sasi të vogla të alkoolit, p.sh 1 gotë verë, 1 birrë ose 1 teke raki në ditë. Nuk duhet tepruar me alkoolin sepse sjell shumë kalori dhe mbipeshë, e për pasojë edhe sëmundje kardiovaskulare. Minimalisht, 1 ose 2 ditë në javë duhet të jenë pa alkool.
• Duhani, për çdo individ me paradiabet që është duhanpirës rekomandohet ndërprerja e menjëhershme e tij. Pirja e duhanit shkakton dëme dhe sëmundje të rrezikshme të organizmit njerëzor.
• Aktiviteti fizik, shtimi i aktivitetit fizik ndihmon në djegien e kalorive si dhe në mbajtjen në formë te organizmit ashtu edhe në normalizimin e peshës trupore. Rekomandohet ecja, noti, vozitja me biçikletë, sporte të lehta dhe të rënda sipas kondicioneve fizike të gjithsecilit.