Qaj, se te ben mire. Psikologet ju tregojne se pse…

Besoj se s’ka njeri nga ne te mos e kete degjuar shprehjen: qaj, se te ben mire. Ekspertët mendojnë se të shfryrit është një metodë shumë efikase, sepse më pas ndjehesh më mirë. Por mbi të gjitha, sepse marrëdhënia juaj me lotët zbulon shumë gjëra mbi ju. Ja se çfarë fshihet pas të qenët e ndjeshme apo e hekurt

Të qarët është një reagim normal i organizmit përballë situatave ekstreme, madje është edhe gjëja e parë që bëjmë kur lindim, për të nënvizuar dhembjen e brakstisjes nga mitra e nënës. Edhe kur rritemi, të qarët e ruajnë domethënien dhe funksionin e tyre. Për shembull, shërben për të shkarkuar tensionin dhe stresin. Eshtë zbuluar që lotët “emotivë” kanë një ndërtim kimik ndryshe nga ata fiziologjikë, që dalin, për shembull, kur grini qepët. Përmbajnë shumë proteina, sepse nëpërmjet tyre organizmi eliminon toksinat e prodhuara në gjendje stresi. Të vëzhgosh se sa dhe se kur qan është një mjet shumë i mirë për të kuptuar si jeni “brenda”, sepse lotët janë një kërkesë për ndihmë. Natyrisht që s’e kemi fjalën për ato raste ku të qarët është reagimi më normal, si në rastin kur i dashuri të braktis. Por për raportin, personal, që keni me lotët tuaj. Lexoni këtu.

Jetoj me shamitë në dorë. Qaj gati per gjithcka

“Për ish të dashurin tim, të shkonte në kinema me mua ishte shumë e sikletshme. Sepse mjaftonte një puthje në ekran që unë të qaja. Ka periudha ku çdo gjë më mallëngjen në mënyrë të tepruar: një dhuratë surprizë, një muzikë e ëmbël, madje edhe qeni që më ledhaton. Dhe nuk e kuptoj përse”. Ola, 31 vjeçe

Interpretojeni kështu: Ekzistojnë persona që, nga karakteri, priren të qajnë shumë. Janë ata njerëz që janë mësuar t’i shprehin emocionet, sepse nuk i konsiderojnë një shenjë dobësie dhe nuk u vjen turp; përkundrazi. Nëse situata juaj është e njëjtë me historinë e Olës, vazhdoni pa problem. Por nëse jeni në një pikë që qani për gjithçka, ndoshta ka diçka që s’shkon. Mund të jetë një problem i pazgjidhur, që e keni varrosur në pavetëdije duke shpresuar se do ta harroni dhe që, kur jeni e lodhur dhe e stresuar, kthehet e bëhet më i fortë se kurrë, duke ju krijuar një ndjesi boshllëku të brendshëm. Përpiquni të dalloni brenda jush cilat janë gjërat që duhen zgjidhur dhe përvishjuni punës. Flisni me një shoqe. Nëse kjo hiperndjeshmëri ka pak kohë që është shfaqur te ju, mund të jetë shenjë e një depresioni të lehtë ose një çekuilibri biokimik, që mund të kurohet shumë shpejt, por gjithmonë me ndihmën e mjekut.

Ka nga ata që nuk humbasin rast pa u mallëngjyer: në kinema, për Krishtlindje, kur shoqja i lajmëron që po pret një fëmijë. Dhe ka edhe nga ata që s’duan t’ia dinë aspak nga të qarët. Nëse i përkisni kategorisë së parë dhe druani se mos dukeni si një qaramane, përgatituni të ndryshoni mendim. Sipas një kërkimi nga një e përditshme britanike, 44% e meshkujve qajnë në kinema dhe 39% kur përfundon një histori.

Jam nga ato që nuk mallëngjehem asnjëherë

“Hera e fundit që kam qarë ka qenë te varrimi i gjyshes sime, përpara 3 vjetësh. S’e honeps dot faktin që dikush të më shohë me sytë që më shkëlqejnë nga lotët. Jam lodhur shumë për të krijuar një imazh besueshmërie në punë dhe nuk dua ta humbas. Kam mësuar të qesh edhe kur jam e sfilitur”. Ornela, 35 vjeçe

Interpretojeni kështu: Kush i mban emocionet, duke u përpjekur të japë një imazh përsosmërie dhe efektshmërie të vetvetes, i konsideron lotët si një humbje. Ky hiperkontroll mund të shkaktojë shumë probleme. Sforcimi që bëni për t’u përmbajtur gjithmonë mund t’ju bëjë të shpërtheni në momentin e gabuar, ndoshta në ndonjë mbledhje të rëndësishme me shefin tuaj. Përveç të tjerash, krijoni një barrierë mes jush dhe të tjerëve, që mbajnë distanca nga ftohja juaj, me rezultatin që do të mbeteni e vetme. Kur i mbani të gjitha për vete kjo gjë mund të shkaktojë shqetësime psikoso-matike, si dermatit, kolit ose migrenë për shkak të energjisë që nuk çlirohet. Pa folur për faktin që ndonjëherë, edhe kur doni ta lëshoni veten, nuk ia dilni dot mbanë. Lufta me veten për të mos humbur kontrollin krijon një tension, që i ndalon lotët të zbresin. Doni një këshillë? Kur të ndiheni një bombë e pashpërthyer, uluni përpara televizorit, dhe vendosni dvd-në e filmit “Shpirti” ose “Titaniku”. Do të jetë sikur të ndodheni në ujëvarat e Niagarës…

Qaj vetëm kur jam nën stres

“Zakonisht zotëroj një vetëkontroll të mirë, por ndonjëherë dëshpërimi më përfshin dhe, kur jam te parukierja që gabon ngjyrën e flokëve apo te shitësja që më trajton keq, shpërthej në të qara. Dhe mendoj: “Uf, të gjitha mua më bien”!”. Keta, 27 vjeçe

Interpretojeni kështu: Ka nga ato femra që jetojnë me frikën se pësojnë të gjitha padrejtësitë e botës. Dhe nuk i durojnë të papriturat. Shpërthimet e tyre duken se shkaktohen nga inati ose stresi, por në të vërtetë, pas tyre fshihet shumë zhgënjim. Janë njerëz që nuk dinë t’i interpretojnë emocionet e tyre. Duke mos kuptuar se çfarë dëshirojnë, nuk arrijnë të reagojnë për t’i dhënë drejtim jetës së tyre. Kur diçka shkon ters, për ato është e logjikshme të mendojnë se është faji i ngjarjeve. Këtu nuk është puna për të mbajtur lotët, por për të marrë në dorë frerët e jetës. Ndoshta duke filluar nga ndonjë e papritur. Autobusi nuk po vjen dhe do të donit të bërtisnit? Shkoni më këmbë dhe përfitoni për të parë vitrinat: luks që, normalisht, nuk ia lejoni kurrë vetes.

femra-moderne.com