Receta gatimi: 6 ide per aperitivë

Keto receta mund t’i përgatitini si aperitivë ose për një bufe mes miqsh. Do të bëni goxha figurë, duke ruajtur linjat. Nuk jane vetem te shijshme, por edhe te lehta ne kalori

Të kripura...

Domate të mbushura me bullgur

Kaloritë: 22 për copë
Përbërësit për 16 copë: 8 domate mesatare; 80 g bullgur për kuskus gjysmë i gatshëm; majdanoz i freskët i grirë; 1 lugë gjelle lëng limoni; 1 lugë kafeje vaj ulliri; kripë.
Përgatitja: Hidheni bullgurin në një tas dhe mbulojeni me ujë të ftohtë. Lëreni të fryhet për 15 minuta, pastaj kullojeni, duke e shtypur me duar. Rregullojeni me vaj, lëng limoni dhe majdanoz, pritini përgjysmë domatet, zbrazini nga farat dhe mbushini me bullgur.

Rrotullame me proshutë dhe djathë dhie

Kaloritë: 50 për copë
Përbërësit për 8 copë: 120 g djathë dhie; 8 feta të holla proshute ose pançetë të tymosur; 8 feta të vogla buke të thekur.
Përgatitja: Ndajeni djathin në tetë pjesë dhe rrotullojeni me duar, duke krijuar një lloj qofteje. Mbështilleni secilën copë me një fetë proshutë dhe fiksojini me kruajtëse dhëmbësh. Nxehni mirë një tigan antingjitës dhe kaurdisini shpejt e shpejt rrotullamet e formuara. Rregullojini mbi fetat e bukës dhe shërbejini mundësisht akoma të ngrohta.

!  Mund ta zëvendësoni proshutën e rrotullameve me proshutë crudo (të gjallë). Në këtë mënyrë nuk duhet t’i kaurdisni.

Pishtarë bathësh dhe bajamesh

Kaloritë: 22 për copë
Përbërësit për 12 copë: 500 g bathë të freskëta (pesha me gjithë bishtajën); 1 lugë gjelle e mbushur plot me bajame në feta të holla; 1 fetë proshutë.
Përgatitja: Qëroni bathët dhe ziejini në ujë të valuar me kripë për 12-15 minuta. Lërini të ftohen, hiqini lëkurën e jashtme dhe kalojini në mikser, derisa t’i bëni si krem. Pritni nga buka 12 rrathë ose katrorë dhe skuqini në tigan. Vendosni një copë proshutë në mes të çdo buke. Mbulojeni me purenë e bathëve, pasi ta keni modeluar në formë pishtari dhe rrotulluar në bajamet e pjekura lehtë.

! Mos përdorni bathë të thata, sepse shija më pak delikate nuk kombinohet mirë me përbërësit e tjerë.

... të ëmbla

Xhelatinë çokollate me mango

Kaloritë: 35 për copë
Përbërësit për 12 copë: 70 g çokollatë e shkrirë; 2 fletë xhelatinë (10 g), një copë mango.
Përgatitja: Pasi të keni zbutur xhelatinën në ujë të ftohtë, ngrohni 1,5 dl ujë. Shtoni çokollatën e copëtuar dhe xhelatinën e shtrydhur. Përziejeni përgatitjen derisa të përftoni një masë kremose të lëmuar. Hidheni përgatitjen në një kontejnër dhe vendoseni në frigorifer për 2-3 orë. Në momentin e servirjes, priteni përgatitjen në copa dhe zbukurojini me kubikë mangoje.

Kafshata të bardha me fruta

Kaloritë: 18 për copë
Përbërësit për 12 copë: 2 dl qumësht; 15 g sheqer, vanilje, 2 fletë xhelatine (10 g), fruta të freskëta.
Përgatitja: Zbusni fletët e xhelatinës në ujë të ftohtë. Nxehni qumështin me vaniljen dhe sheqerin. Fikni zjarrin. Shtoni xhelatinën dhe përziejeni. Hidheni përgatitjen në 12 forma të vogla dhe vendosini në frigorifer për 2-3 orë. Shërbejini me copa frutash.

Sandwich me biskota, gjize e limon

Kaloritë: 85 për copë
Përbërësit për 8 copë: 16 biskota të vogla të rrumbullakëta; 120 g gjize e ëmbël e freskët; 1 limon i patrajtuar; 1 lugë kafeje sheqer.
Përgatitja: Përziejeni gjizën me sheqerin dhe shtoni 1 lugë kafeje lëng limoni. Prisni disa shirita lëkurë limoni dhe copëtojini imët. Rregullojeni gjizën midis biskotave. Në fund, rrotullojni sandwich-et në lëkurën e grirë të limonit. Vendosini në frigorifer dhe shërbejini të ftohta.

femra-moderne.com