Ashtu siç u njoftua, kopshtet dhe çerdhet pritet të hapen duke nisur nga 1 qershori. Pas më shumë se dy muajsh, fëmijët do t’i kthehen aktiviteteve të tyre ditore, duke zbatuar masat e reja të nevojshme, të vendosura për parandalimin e Covid-19.
Në draft-protokollin e publikuar nga Tv Klan, janë përcatuar rregullat që duhet të ndiqen nga të gjitha palët, si nga ana e personelit ashtu edhe nga fëmijët/prindërit. Disa prej masave të marra janë:
1. Fëmijët nuk do të lejohen të dorëzohen apo të merren nga çerdhja/kopështi nga gjyshërit, por vetëm nga prindërit.
2. Prindërit nuk do të futen në brendësi të institucionit, por do t’i lënë fëmijët tek edukatorja në derën e kopshtit.
3. Nuk do të lejohen në mënyrë kategorike fëmijët që do të kenë probleme shëndetësore. Të gjithë fëmijëve të vegjël do t’u matet temperatura të paktën 2 herë në ditë.
4. Personali duhet të jetë i pajisur me doreza/maska, përfshi këtu kuzhinierët.
5. Nuk do të ketë kufizime në numrin e fëmijëve, por do të përdoren të gjitha hapësirat e institucionit, për të siguruar distancën.