Si ta luftoni kolesterolin me barna delikate, efikase dhe me një mënyrë të re jetese
Një armik i padukshëm i shëndetit dhe mirëqenies. Përgjegjësi i parë i shqetësimeve të zemrës dhe sistemit venoz. Tani, kolesterolin e tepërt, mund ta mundim me anë të barnave popullore, bimëve që veprojnë ëmbëlsisht, dhe duke ndryshuar mënyrën tonë të jetesës
Çfarë është kolesteroli?
Kolesteroli është një përbërës i gjakut, 2/3 e të cilit prodhohet nga vetë organizmi, nga mëlçia, dhe pjesa tjetër nga ushqimi. Kolesteroli është një element thelbësor i membranës qelizore, i domosdoshëm për formimin e shumë hormoneve, dhe që të kryhet sinteza e vitaminës D. Në gjak, ai qarkullon në formën e lipoproteinave që ndahen në dy grupe: HDL dhe LDL. LDL janë lipoproteinat me densitet të ulët dhe kur janë me tepricë grumbullohen në arterie, duke shkaktuar grumbullimin e dhjamrave.
HDL janë lipoproteinat me densitet të lartë. Përfaqësojnë pjesën e kolesterolit të mirë, sepse arrijnë të transportojnë kolesterolin e tepërt i cili është i pranishëm në organe të ndryshme. Një përqindje e lartë e kolesterolit HDL në gjak përfaqëson një faktor mbrojtjeje kundrejt shqetësimeve kardiovaskulare.
Ushqimi
Sa më pak ëmbëlsira, mish dhe djathë dhe sa më shumë perime, makarona dhe drithëra integrale. Duke ngrënë në këtë mënyrë jo vetëm që do të jeni gjithmonë në peshën e duhur, por do të mbroheni edhe nga sëmundjet e shumta të shkaktuara nga kolesteroli.
Ushqimet që duhet të konsumoni
Fruta e perime të paktën 5 racione në ditë, në vaktet kryesore por edhe gjatë zëmrave. Fibrat që ndodhen te frutat dhe perimet kanë një efekt antikolesterol. Disa studime të kohëve të fundit kanë nxjerrë në dukje se si konsumi i rregullt i frutave (sidomos i mollëve) e ul deri në 30% nivelin e kolesterolit në gjak.
Drithërat integrale si makaronat, buka, orizi integral, si edhe karbohidratet e përbëra janë një burim i domosdoshëm energjie për organizmin dhe janë të pasura me fibra. Duhet të konsumohen përditë në vaktet kryesore.
Bishtajoret të pasura me fibra dhe proteina bimore. Shoqërojini me mishin pa yndyrë.
Peshku duhet të konsumohet të paktën 3 herë në ditë. Zgjidhni peshkun e kaltër, skumbrin, salmonin dhe tonin.
Vaji i ullirit ka një përmbajtje të lartë me fitosterole dhe acid oleik, substanca aktive që e ulin nivelin e kolesterolit.
Arrat, bajamet, të gjitha farat vajëse e furnizojnë organizmin me fibra bimore. Duhet t’i konsumoni shpesh, por duke treguar kujdes me sasinë, sepse janë shumë kalorike.
Ushqimet që nuk duhet të konsumoni
Mishi i kuq duhet shmangur në favor të mishit të bardhë pa yndyrë, si mishi i viçit dhe i gjelit të detit.
Djathërat shumë kalorike dhe të pasura me vaj, nuk duhet të përjashtohen por të kufizohen në sasi. Preferoni gjizën në vend të tyre.
Gjalpi duhet shmangur nëse prireni të keni vlera të larta të kolesterolit. Për gatim, më mirë përdorni vajin e ullirit.
Embëlsirat ngrenë nivelin e glicemisë në gjak dhe përmbajnë gjalpë e yndyrna bimore të hidrogjenuara.
Një ndihmë nga natyra
Çaji jeshil: Edhe një filxhan me çaj jeshil mund të jetë një mënyrë e këndshme për të luftuar kolesterolin. Çaji jeshil, sipas disa studimeve të ndryshme, ul nivelin e yndyrnave në gjak përveçse ngadalëson procesin e plakjes. Çaji jeshil duhet të pihet gjatë vakteve ose menjëherë pas tyre.
Mështekna: Lëvorja e brendshme e rrënjëve ose rrënjët e reja të mështeknës arrijnë të ulin nivelin e kolesterolit dhe në të njëjtën kohë ka efekt drenazhues dhe dezinfektues në rrugët urinare. Duhet të pini 50 pika, të holluara në një gotë me ujë, çerek ore përpara se të hani mëngjes.
Frashëri: Sythat e frashërit kanë një aktivitet diuretik, i dobishëm për t’u pastruar dhe shfryrë, duke eliminuar mbetjet nëpërmjet urinës. Duhet të pini 50 pika, të holluara në një gotë me ujë, çerek ore përpara se të hani drekë.
Ulliri: Ulliri është i çmuar jo vetëm për vetitë e tij ushqyese, por edhe për vetitë e filizave të tij të rinj. Ai ul nivelin e yndyrnave në gjak, ul nivelin e kolesterolit dhe vlerat e presionit të gjakut. Pini 50 pika, të holluara në një gotë me ujë, çerek ore përpara se të hani darkë.