Si ta dalloni Covid-19 nga gripi i zakonshëm

Studiuesit e Universitetit të Kalifornisë Jugore thonë se ata kanë zbuluar se simptomat COVID-19 kanë tendencë të shfaqen në një rradhitje të caktuar. Ky konstatim mund të lejojë zbulimin dhe trajtimin e hershëm te disa pacientë.

Sipas studimit të botuar në revistën mjekësore Frontier Public Health, rradha e zakonshme e simptomave është si më poshtë:

  • Ethe
  • Kollë
  • Dhimbje muskulore
  • Të përziera dhe/ose të vjella
  • Diarre

Ekspertët thonë se tre simptomat e para nuk kanë pse të shfaqen me radhë, por mund të shfaqen të gjitha në të njëjtën kohë, të pasuara nga të përzierat dhe të vjellat, pasuar nga diarreja.

Jo të gjithë pacientët kanë përjetuar të njëjtin grup simptomash. Por gjetjet e reja ndihmojnë të theksohet se si COVID-19 ndryshon nga sëmundjet e tjera tashmë të njohura. Megjithëse ethet dhe kolla janë të lidhura edhe me një numër sëmundjesh të tjera, siç është gripi, studimi thekson se periudha kohore në të cilën shfaqen këto simptoma dhe më vonë simptomat gastrointestinale e dallojnë koronavirusin e ri.

“Të kuptuarit e rradhës së simptomave të virusit është shumë e dobishme gjatë ‘cikleve të mbivendosjes së sëmundjes’, siç është sezoni i ardhshëm i gripit”, – thekson Dr. Peter Kuhn, një nga autorët e studimit.

Studimi shqyrtoi simptomat e më shumë se 55,000 personave të infektuar të konfirmuar, të dhëna të grumbulluara nga Organizata Botërore e Shëndetit. Ato janë krahasuar me rastet e gripit dhe sëmundjeve të tjera.