Si ta përgatisim fëmijën (dhe veten) për në çerdhe/kopsht

Ka shumë mënyra për ta përgatitur fëmijën tuaj mbi botën e çerdhes. Përpara ditës së parë, ju mund të shikoni në çerdhe dhe çështje të tilla si: Cila është rutina e përditshme? Sa kohë do të qëndrojë atje fëmija juaj? A kërkohet që fëmija të dijë ta përdorë vetë tualetin? A ka zakone të tjera që ju mund të filloni t’i krijoni më përpara, si për shembull pushimi pas dreke?

  • Vizitoni çerdhen së bashku me fëmijën tuaj, për t’i dhënë mundësinë të shohë klasat.
  • Vëzhgoni herë pas here, gjatë kohës së pushimit, mënyrën sesi fëmija ndërvepron me bashkëmoshatarët dhe edukatoren, kur është në çerdhe.
  • Shpjegojini se çfarë ndodh gjatë ditës. Lexoni së bashku libra mbi fillimin e çerdhes.
  • Flisni mbi ndonjë kushëri që ka pak kohë që ka filluar çerdhen dhe tregojini fëmijës se sa mirë ja kalon ai atje.
  • Flisni mbi faktin se interesat e fëmijës dhe gjërat që i pëlqejnë mund t’i shijojë në çerdhe – për shembull: “Atje do të ketë lojra dhe kenge– ty do të të pëlqejë” ose “Atje do të ketë një kohë kur do të lexohen shumë histori”.
  • Flisni mbi aktivitetet e këndshme që do të bëjë në çerdhe dhe që tashmë i bën edhe në shtëpi – për shembull, vizatimin, prerjen e ngjitjen dhe leximin e historive.

• Flisni së bashku rreth çerdhes dhe dëgjoni mbi çdo shqetësim të tij të mundshëm

• Përfshijeni në bërjen e pazarit për t’i blerë uniformën apo çantën e çerdhes

• Jini vlerësues dhe pozitivë – mos i reflektoni shqetësimet tek fëmija tuaj

• Jini të informuar – merreni sa më shumë informacion mbi mënyrën sesi vepron çerdhja.

(Eshtë detyrë e punonjësve të çerdhes të informojnë mbi ecurinë dhe nevojat e fëmijës. Megjithatë, mos hezitoni të pyesni, nëse keni ndonjë paqartësi ose shqetësim.)

Si ta ndihmoni femijet te pershtatet

  • Ka gjithashtu edhe disa mënyra të tjera më praktike për të ndihmuar fëmijën tuaj që të përshtatet sa më lehtë me çerdhen.
    • Tregojini mbi strukturën dhe zakonet e një dite – “Tani është koha jonë e drekës. Kur të jesh në çerdhe, edhe ti do të kesh kohën e drekës”.
  • Bëni praktikë së bashku për të lidhur këpucët, ose për të mbërthyer kopsat, por mos u shqetësoni dhe mos bëni presion, nëse kjo rezulton e vështirë për të (edukatorja është aty, edhe për ta ndihmuar në këto aktivitete të përditshme).
  • Praktikoni shprehi sociale, si për shembull mbajtja e radhës, ndjekja e udhëzimeve dhe bërja e zgjedhjeve.
  • Vizitoni miqtë tuaj që kanë fëmijë ose ftoni fëmijë të tjerë për të luajtur në shtëpi me fëmijën tuaj.
  • Mësojini punë të thjeshta që do të jenë të dobishme në çerdhe, si për shembull mbledhja e lodrave.
  • Ndihmojeni fëmijën të njohë emrin e tij – shumë fëmijë nuk janë akoma në gjendje të shkruajnë apo lexojnë emrin e tyre, por ata mund të bëhen të aftë për të njohur shkronjën e parë të emrit.
  • Kini parasysh se të gjitha këto aktivitete duhet të jenë argëtuese – është e rëndësishme që të mos ushtroni presion mbi fëmijën. Nëse vini re shenja ankthi tek ai, ndërsa jeni duke folur për çerdhen, ndaloni dhe jepini kohë të qetësohet.
Disa fëmijë kanë një fillim të mirë dhe më pas shprehin dëshirën për të mos shkuar më në çerdhe. Në këto raste, është mirë të ndani shqetësimin tuaj me edukatoren.

Javët e para

Fillimi i çerdhes mund të ketë ndikim të madh tek fëmija juaj, pasi atij i duhet të jetojë një jetë të dyfishtë. Në shtëpi ai është i varur, i sigurt dhe i rrethuar nga dashuria, ndërsa në çerdhe është i pavarur dhe duhet të punojë shumë që të fitojë pëlqimin e të tjerëve dhe të tërheqë vëmendjen e edukatores.

  • Studimet të ndryshme tregojnë se tensionet në familje ndikojnë që fëmija të jetë i shpërqëndruar në çerdhe dhe i paaftë për të ndjekur udhëzimet e dhëna. Përgjatë muajve të parë, përpiquni të shmangni ndryshimet e mëdha dhe të krijoni një klimë mbështetëse në familje.
  • Zakonet familjare janë veçanërisht të rëndësishme. Fëmijët kanë dëshirë që pas çerdhes ta gjejnë shtëpinë siç e kanë lënë, ndoshta edhe me lodrat e shpërndara. Ata duhet të dinë se kush i mbledh dhe kur. Çdo ndryshim në këtë zakon duhet shpjeguar.
  • Një pritje e ngrohtë në shtëpi është thelbësore. Ofrojini fëmijës një vëmendje të vazhdueshme – uluni së bashku, hani diçka të shijshme dhe bisedoni me njëri – tjetrin sesi ka shkuar dita.
  • Mos u shqetësoni nëse vini re ndonjë keqësim në sjelljen e fëmijës tuaj. Është normale që fëmijët të reagojnë në mënyrë negative, shpërthyese etj. Mbani mend, ai është i lodhur, kërkon vëmendje dhe dëshiron të rikonfirmojë pushtetin e tij mbi ju.

femra-moderne.com