Në punë kalojmë më shumë se gjysmën e jetës sonë. Ndonjëherë shumicën e saj. Le të përpiqemi të përshtatemi me vështirësitë e saj, duke i konsideruar si raste të shumta për të përparuar.
Njerëz paranojakë që shikojnë rivalitet kudo, individë të këqinj që nuk krijojnë lidhje me personat e tjerë, të pakënaqur kronikë që vajtojnë se bota në përgjithësi dhe sipërmarrja në veçanti nuk janë sipas imazhit të tyre, ndodh.
Fatmirësisht, janë përjashtime. Ju, ajo që ju shqetëson dhe ju destabilizon janë vështirësitë e vërteta të jetës profesionale me pjesën e saj të mërzive të përditshme: kolegë të gatshëm të bëjnë gjithçka “për t’ia arritur”, mungesë njohurish, një shpirt kundërshtimi që ka të bëjë më shumë me shënjimin e territorit, sesa me ndjenjën për të diskutuar. Dhe, në kërkimin e efikasitetit dhe rezultateve të qënësishme në botën e ndërmarrjes, pagat shpesh priren të identifikohen me kulturën e “anijes”, me adoptimin e ritualeve, duke çuar në çpersonalizim. Për të duruar gjithçka, na duhet kundërhelmi: “Duhet të jemi pozitivë”. Kjo formulë është padyshim zgjidhja: ju nxit t’i shikoni gjërat ndryshe, ju bën zot të aftësive tuaja.
> Kundërshtimi? Ju mundëson të përpunoni mendimin
Situata: Duket se rrezikon nëse bie dakort me ju. Sapo hapni gojën për të thënë një sugjerim, një ide, një opinion, menjëherë: “Po pra, jo…”. Ose më keq akoma: “Jo, nuk është kjo, është…”. Saktësisht ajo që dëshironi të thoni ju, por e parafrazuar. Që të mos lënë asgjë mangut, kolegu pranon të gjitha qëllimet e shefave tuaj dhe përfiton nga mbledhjet për të thënë “e bardhë” kur ju pretendoni për të “zezë”. Sinqeritet? Manovra për të tërhequr favore? Ç’rëndësi ka! Ju mundohuni të shikoni “në ngjyrë të trëndafiltë” dhe rivini në diskutim ligjshmërinë tuaj.
Këshillat e psikologes: Për të ndërtuar personalitetin, në çastet e para të ekzistencës sonë, kemi nevojë për aprovimin e të tjerëve. Pastaj, në një moment të caktuar, duhet të mësohemi të bëjmë edhe pa të, të jemi të pavarur… Kundërshtimi na ndihmon gjithashtu të stërhollojmë mendimin personal, na mëson ta transmetojmë. Nga ana tjetër, shumë persona vuajnë çdo ditë teksa shohin t’iu fluturojë trashëgimia e ideve të tyre. Vëmë re se, në një ekip, nëse duam që idetë të pranohen, shpesh është e nevojshme që dikush t’i përvetësojë, edhe pse kjo mund të na duket paksa e padrejtë. E rëndësishme është që, sido që të jetë, idetë qarkullojnë.
> Mërzi? Rasti për të marrë sërish hov
Situata: S’e keni më për zemër punën tuaj. Ju duket diçka e përsëritshme, ankoheni se nuk paguheni sa duhet, acaroheni… Ndjenja e të mos qenët në vendin tuaj ju mbyt, vendi që zini nuk përshtatet më me dëshirat tuaja, as me aftësitë tuaja.
Pasoja: eprorët tuaj në hierarshi kapen pas dobësive tuaja dhe ju filloni të shkurajoheni, të dyshoni te vetvetja dhe të thoni që, në fund të fundit, nuk e kanë krejt gabim, nuk jeni e dhënë për atë punë.
Këshillat e psikologes: Kur vjen ky moment, do të thotë që ka ardhur momenti për të shqyrtuar dëshirat tona. Në fakt, këto të fundit evoluojnë papushim gjatë gjithë jetës. Pavarësisht nga presioni dhe frika e papunësisë, ajo që është e paarsyeshme është të mërziturit. Ajo që bëjmë më mirë është ajo që na pëlqen të bëjmë. Duhet përgatitur një shndërrim. Duhet të kuptoni situatën. A është kalimtare kjo mërzi? Apo po përpiqem të arratisem nga një ndryshim që e kam të vështirë ta përtyp? A jam gati të vë gjithçka në lojë, për të ecur përpara?
> Rivaliteti? Një burim konkurimi
Situata: E orkestruar apo e inkurajuar nga një drejtues, rivaliteti midis kolegëve është diçka e rëndomtë. Është e kotë që fqinji juaj i zyrës t’ju lavdërojë dhe buzëqeshë rregullisht, ju e keni kuptuar me kohë strategjinë e tij: dëshiron vendin tuaj dhe nuk ngurron të përdorë të gjitha mjetet për t’ia arritur qëllimit të tij. Zell, guxim i tepruar, numëron dobësitë tuaja në publik, pushtim i territorit nga të gjitha frontet… Nëse nuk jeni viktimë e mashtrimit, ndjeheni e lodhur nga këto stategji që ju nxisin vazhdimisht të mos besoni.
Këshillat e psikologes: E pashmangshme në zemrën e një ndërmarrjeje, kjo sjellje riaktivizon mekanizmat e fëmijërisë: rivaliteti vëlla/motër ose prindër/fëmijë. Të rregulluar ose jo, antagonizmat janë burim konkurimi ose vuajtjesh. S’është personi tjetër me të cilin duhet të hyni në luftë, por ndonjëherë me demonët personalë, për të fituar largësinë e nevojshme në lidhje me tjetrin. Në këtë rast mund të jetë e dobishme psikoterapia. Nëse nuk ndjeheni viktima dhe të fëmijëzuar, kjo luftë mund të bëhet burim krijimtarie. Duke privilegjuar reflektimin shpirtëror do t’i kushtojmë më pak rëndësi rivalitetit, që jo gjithmonë është mirëbërës.
> Shumë njerëz? Të adaptohemi, duke ruajtur stilin personal
Situata: Gjëja e fundit e tmerrshme e drejtuesve, i gjithë personeli në një hapësirë të vetme. Komunikimi është sot e vetmja fjalë zot në një ndërmarrje. Morën fund zyrat personale me fotot e fëmijëve dhe të qenit nëpër mure, të harrohet universi i vogël privat, tashmë jemi pjesë e një ekipi. Duhet të përballesh me bisedat private të fqinjin të tryezës së punës, me zërin e lartë, të sekretares, çrregullimin e kolegut, gjithçka në një hapësirë të njëjtësuar. Ndjeheni e lodhur: për të luftuar kundër këtyre tallandive të reja (zhurma, shumë njerëz në një vend) keni mobilizuar gjysmën e energjive tuaja.
Këshillat e psikologes Hapë-sirë e gjerë nënkupton shikimin e vazhdueshëm të tjetrit mbi ju. Të dëgjohesh gjatë bisedave, do të thotë të ndjehesh e gjykuar, vënë në vlerësim, që mund çojë drejt paragjykimit të spontaneitetit dhe drejt konformizmit. Kjo situatë kërkon nga ne një shqyrtim të vërtetë të çështjes, sepse ne duhet të luftojmë për të ruajtur lirinë tonë shpirtërore dhe të mbajnë distancë në lidhje me shikimin e të tjerëve. Pavarësisht të gjithave, hapësira e përbashkët na ndihmon të gjejmë organizimin dhe specificitetin personal. Nga ana tjetër, hapësira e gjerë favorizon zhvillimin e shpirtit të ekipit. I jep punës diçka më njerëzore, më të dukshme në krahasim me atë të kryer përballë kompjuterit. Por, për disa detyra, nuk duhet të ngurroni që të izoloheni.
> Punë pa komplimenta? Nuk është shenjë pakënaqësie
Situata: Nuk është politika e shtëpisë. Këtu s’ka shpërblim, mirënjohje. Është e kotë të tregoheni e shkëlqyeshme, të shfaqni iniciativat tuaja të mira, askush nuk ju lavdëron. Aq sa mendoni se aftësitë tuaja nuk vihen re. Fatkeqësisht, hapi i vetëm i hedhur gabim apo një fjali e thënë keq damkoset menjëherë. Me të gjitha këto, është e vështirë të gjeni vendin dhe motivimin e nevojshëm për të vazhduar. Ashtu siç ndodh edhe me fëmijët, një fjalë e vetme mirënjohjeje e rivë në punë mekanizmin. Por, në ndërmarrjet tona, duhet të bëjmë pa këtë.
Këshillat e psikologes: Për të “braktisur” kërkesën afektive – tepër e ligjshme – të shpërblimit, duhet të mbështetemi mbi një qartësi: kur ndonjë gjë nuk shkon mirë, na e bëjnë të ditur në çdo kohë! Nëse nuk na thonë gjë, do të thotë se po e bëjmë punën në mënyrë korrekte, edhe pse asnjë nuk ka kohë të ndalojë dhe të na e thotë. Pastaj, duhet të kuptojmë se “shefat” kanë tendencë të besojnë se, nëse tregohen shumë të sjellshëm me ne, nuk do të konsiderohen dhe respektohen më si më parë.