Si të luftojmë fobinë shoqërore?
Gjatë një mbedhjeje ose fjalimi në publik, për disa persona ankthi është shumë i madh. Si ta kapërceni?
Në jetën e përditshme, secili prej nesh mund të ndjejë ankth, mund të ketë momente ndrojtjeje, të bllokohet. Por te disa persona, këto ndjenja transformohen në një frikë të fortë, që shkakton një paralizë të vërtetë, një paaftësi për të përballuar disa situata. Për shembull, ata as nuk mund të hanë, as të pijnë ose të shkruajnë përballë një të treti, as të hyjnë në një dyqan ose të udhëtojnë me ndonjë mjet publik, kaq shumë jetojnë me ankthin e shikimit dhe gjykimit të të tjerëve. Për këtë sëmundje, specialistët përdorin termin “fobi shoqërore”, që lind që në fëmijëri dhe prek 4 për qind të popullsisë, veçanërisht femrat.
Një panik i pakontrollueshëm
Ky shqetësim karakterizohet me rritje të panikut të ndjerë përballë një situate të frikshme. Personi skuqet, dridhet, mbushet me djersë. Fillon të shfaqë sjellje shmangieje, për të paraprirë situatat e mësuara në atë pikë që të përfundojë duke bërë gjithçka, që të mos përballet me to. Në këtë mënyrë, ai rrezikon të izolohet shoqërisht. Jehona e sëmundjes mbi jetën shoqërore, dashurore ose profesionale është skajshmërisht e rëndësishme. Studimet kanë treguar se dy të tretat e personave të prekur nga fobia shoqërore vuajnë nga një tjetër shqetësim psiqik në jetën e përditshme: depresioni është më i shpeshtë.
Gjithçka ndodh në tru
Qarqet e frikës dhe ankthit rregullohen nga zona të ndryshme në qendër të trurit, sistemi limbik. Talamusi merr informacionet dhe i dërgon drejt kores së trurit ose drejt amigdalës cerebrale, një udhëkryq i vërtetë emocionesh, që çliron reagimin me frikë.
Nga shkaktohen këto shqetësime?
Si rrjedhojë, shumica e këtyre të sëmurëve jetojnë vetëm, pa miq dhe pa lidhje (sidomos në rastin e meshkujve), ndërsa të tjerë thonë se i janë drejtuar alkoolit për t’ju afruar të tjerëve dhe/ose për të mundur vuajtjen e tyre. Nga shkaktohen këto shqetësime? Ndonjëherë, shkaktohen nga një ndjeshmëri gjenetike, por disa teknika imazhesh cerebrale kanë treguar se fobikët shoqërore lëshojnë alarme të rreme frike në nivelin e trurit përballë disa situatave.
Terapitë e sjelljes dhe mjekimet
Nuk është e lehtë për mjekët të diagnostikojnë fobinë shoqërore dhe ky shqetësim vazhdon të mbetet i panjohur. Megjithatë, ekzistojnë trajtime efikase. Terapitë e sjelljes dhe ato konjitive konsistojnë në vendosjen e pacientëve në situata gjatë të cilave ndjehen keq (në rrugë, në mjetet e transportit publik…). Qëllimi nuk është vetëm që t’u mësohet atyre që të përballen me atë që i frikëson, por edhe të parandalojnë këtë frikë në një gjendje të mirë, duke mësuar të kontrollojnë emocionet e tyre. Përsa i përket ilaçeve, dy molekula (Venlafaksina dhe Paroksetina) kanë marrë miratimin për t’u hedhur në treg, për trajtimin e fobisë shoqërore. Ato rregullojnë frikën, pakësojnë sjelljet e shmangies, djersitjet, skuqjen dhe janë gjithashtu efikase edhe për depresionin.
Gati 4 % e popullsisë vuan nga fobitë shoqërore. Shikimi i të tjerëve, turma, dhe shumë frika të tjera që i pengojnë të jetojnë normalisht.
femra-moderne.com