Siguria në makinë, këshilla për shoferët dhe pasagjerët

Diskutime mbi shpejtësinë, grindje të furishme për rrugën që duhet ndjekur, kalimtarë që shkelin një pedale të padukshme frenimi, drejtues automjetesh që ua mbyllin gojën në mënyrë brutale shokëve të udhëtimit, që janë paksa si shumë kritikë për shijet e tyre: të gjitha këto janë vetëm pak nga gjithë ato sjellje të shumta që mbahen kur jemi në makinë dhe që, sipas një kërkimi gjerman, ndikojnë negativisht mbi sigurinë në makinë.

Atëherë, cilat janë normat e sjelljes së mirë që duhen ndjekur në makinë, kur jemi në shoqëri?

Konfliktet midis drejtuesit të makinës dhe pasagjerit

Kërkuesit gjermanë kanë analizuar sjelljen e mbajtur në makinë nga drejtuesi dhe pasagjeri. Këta kërkues kanë përpiluar një dekalog, duke vënë në dukje rregullat që duhen ndjekur dhe sjelljet që duhen shmagur kur udhëtohet i shoqëruar.

  • Nga analiza e konflikteve që krijohen midis drejtuesit dhe pasagjerit, rrallëherë i pari u jep rëndësi kërkesave të personave që udhëtojnë me të dhe shpesh nuk pranon asnjë lloj kritike.
  • Nga ana tjetër, pasagjeri shfaq shpesh frikë ose acarim për stilin e drejtimit të shoferit dhe nuk ngurron të japë mendimin e tij, pa e kuptuar se përfaqëson një burim të rrezikshëm hutimi.
  • Rezultatet e kërkimit kanë treguar se nuk dimë të sillemi në makinë dhe që shpesh adoptojmë sjellje të rrezikshme, që duhen absolutisht të shmangen.

Dekalogu për drejtuesit e automjeteve

1 Lidhni rripin e sigurimit dhe sigurohuni që edhe pasagjerët të bëjnë të njëjtën gjë.

Nëse ka fëmijë në bord, sigurohuni që të udhëtojnë në sedilje përkatëse, sipas rregullave të kodit rrugor. Drejtuesi i mjetit nuk duhet të ngurrojë t’ia përsërisë ndonjë pasagjeri kokëfortë të lidhë rripin e sigurimit, sepse drejtuesi është përgjegjës për sigurinë në bord.

2 Përshtatiani stilin e drejtimit kërkesave të pasagjerëve.

Është një normë e bazuar mbi respektin ndaj personave që transportohen: është e dobishme dhe e sjellshme t’i pyesni pasagjerët nëse e pëlqejnë mënyrën e drejtimit dhe shpejtësinë e adoptuar.

3 Mos ia përshtasni mënyrën e drejtimit kërkesave të pasagjerëve, nëse nuk jeni të sigurta.

Kjo rregull nuk është kundërshtim i pikës së mësipërme, por thjesht sugjeron që të mos tërhiqeni nga dëshirat e pasagjerëve për një drejtim automjeti që s’e keni nën kontroll, sidomos përsa i përket shpejtësisë.

4 Shmangni ngadalësimin dhe përshpejtimin tepër të shpeshtë.

Një mënyrë e tillë drejtimi është gjithmonë e besdisshme për pasagjerët dhe vendosmërisht e papërballueshme për ata që i zë makina.

5 Respektoni dëshirat e pasagjerëve, përsa i përket ndalesave.

Nuk mund t’i detyroni shokëve të udhëtimit etapa sforcuese: është mirë që, që në fillim, të bini dakort dhe të programoni ndalesat, duke u përpjekur të mirëprisni kërkesat e të gjithëve, sidomos kur udhëtoni me persona të moshuar dhe fëmijë.

6 Mirëprisni mendimet e mundshme të pasagjerëve, gjithmonë nëse kritikat janë të arsyeshme dhe jo polemike.

Mos nisni diskutime kur pasagjeri kritikon mënyrën e drejtimit, por përpiquni t’ia adaptoni kërkesave të tij, që të udhëtoni në mënyrë më të sigurtë.

7 Shmangni diskutimet e furishme gjatë udhëtimit.

Nëse një bisedë e qetë e ndihmon drejtuesin e mjetit të çlodhet dhe të përqëndrohet te rruga, një bashkëbisedim i egër, pavarësisht nga argumenti, tërheq vëmendjen e drejtuesit dhe krijon një situatë rreziku.

8 Besojini disa detyra pasagjerëve.

Këta të fundit mund ta ndihmojnë drejtuesin në shumë mënyra dhe ta bëjnë udhëtimin më të këndshëm: për shembull, mund të kontrollojnë hartat rrugore dhe ta orientojnë drejtuesin në rrugën që duhet të ndjekë, ta mbajnë zgjuar në orët e natës, t’i vënë në dispozicion ushqime ose pije.

9 Reagoni në mënyrë butë ndaj gabimeve të pasagjerëve, sidomos kur kanë të bëjnë me udhëzimet relative gjatë rrugës.

Në fakt, diskutimet më të këqija lindin më shpesh nga gabime ose keqkuptime përsa i përket rrugës që duhet ndjekur.

10 Saktësoni, në mënyrë të sjellshme e të qartë, që nuk doni t’ju shpërqendrojnë, për shembull me biseda ose me radion, gjatë situatave të vështira të drejtimit.

Trafiku i rënduar, mjegulla, rruga e ngrirë, një rrugë nëpër mal, kërkimi i një lokaliteti të largët dhe të vështirë për t’u arritur, të gjitha këto janë situata që kërkojnë një kujdes dhe përqëndrim të madh nga ana e drejtuesit.

Dekalogu për pasagjerët

1 Mos e vini në diskutim aftësinë e drejtuesit të mjetit.

Kur udhëtohet me dikë, duhet të keni besim te aftësinë dhe eksperiencën e tij, për të shmangur krijimin e një situate të pakëndshme tensioni e konflikti.

2 Mos e kritikoni mënyrën e drejtimit të drejtuesit.

Të paktën jo nëse nuk është e rrezikshme.

3 Lëvdojeni drejtuesin.

Nëse i transmetoni drejtuesit ndjesinë se ndiheni të sigurtë, falë aftësisë së tij dhe shkathtësisë në timon, kjo është një mënyrë shumë e mirë për të krijuar një ambjent të qetë, kur udhëtohet në shoqëri, ku shpesh qetësi do të thotë siguri.

4 Mos shfaqni shenja paqetësie ose ankthi gjatë udhëtimit.

Duke i transmetuar drejtuesit frikat tuaja se mos ndodh ndonjë aksident ose faktin që s’besoni tek ai, mund të ndikojnë negativisht mbi sigurinë e atij që drejton automjetin. Pasagjeri duhet të ketë parasysh edhe pikëvështrimin në krahasim me atë që është në timon: kur mendon se drejtuesi për një qime nuk është përplasur me makinat e parkuara ose gjatë një parakalimi, shpesh nuk është aspak kështu, sepse perceptimi pamor është i ndryshëm kur jeni të ulur në vendin e pasagjerit.

5 Shmangni çdo diskutim gjatë rrugës.

Edhe nëse rruga nuk paraqet vështirësi të veçanta, personi në timon ka nevojë të jetë vazhdimisht i përqëndruar.

6 Mos bëni zhurmë dhe mos e mbani volumin e radios shumë të lartë.

Në fakt, zhurma shpesh e nervozon drejtuesin dhe, sidomos, ul pragun e tij të vëmendjes.

7 Mos e stresoni drejtuesin e mjetit.

Mos e nxitoni dhe mos e dëshpëroni me kërkesat e vazhdueshme për të ndaluar, për të ecur më shpejt ose më ngadalë, për të parakaluar atë kamion apo rulotë. Drejtimi i makinës lodh dhe kërkesat e paarsyeshme të pasagjerëve e përkeqësojnë ndjesinë e lodhjes.

8 Ndihmojeni aktivisht atë që është në timon.

Pasagjeri mund të bëhet i dobishëm, sidomos nëse është e nevojshme të ndiqet harta. Por, nëse nuk ka njohuri në leximin e hartës apo nëse nuk njeh rrugën, është mirë që pasagjeri të mos ndërhyjë për ndihmë.

9 Kushtojini vëmendje trafikut.

Në kushte trafiku të rënduar, pasagjerët përbëjnë dy sy të dobishëm më shumë.

10 Ndërhyni, nëse mendoni se drejtuesi i mjetit është i lodhur.

Lodhja është një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore dhe, shpesh, drejtuesi nuk e kupton që është i lodhur. Pasagjerët mund t’i kushtojnë vëmendje sinjaleve të lodhjes së drejtuesit, duke i propozuar ndërrimin në timon ose një ndalesë.

©femra-moderne.com