Sokrati dhe testi i 3 sitave

Në Greqinë e lashtë Sokrati kishte një reputacion të madh për mençurinë.

Një ditë dikush erdhi për ta takuar filozofin e madh dhe i tha:

– A e di atë që sapo kam dëgjuar për mikun tënd?

– Një moment të lutem, iu përgjigj Sokrati. – Para se të më thuash, do të doja të të jepja një test, atë të tre sitave.

– Tre sita?!

– Po, – vazhdoi Sokrati. – Para se të tregosh gjithçka për të tjerët, është mirë të marrësh kohë për të filtruar (situr) atë që dëshiron të thuash. Këtë e quaj test të tre sitave. Sita e parë është e vërteta. A ke kontrolluar nëse ajo që më thua është e vërtetë?

– Jo… sapo kam dëgjuar për këtë…

– Shumë mirë. Pra, nuk e di nëse është e vërtetë. Ne vazhdojmë me sitën e dytë, atë të mirësisë. Çfarë do të më tregosh për mikun tim, a është diçka e mirë?

– Ah jo! Përkundrazi.

– Pra, – vazhdoi Sokrati, – do të më tregosh gjëra të këqija për të dhe nuk je i sigurt se a janë të vërteta. Ndoshta ti ende mund ta kalosh testin, mbetet sita e tretë, ajo e dobishmërisë. A është e dobishme që unë të di se çfarë mund të ketë bërë e thënë ky mik për mua?

– Jo, me të vërtetë jo.

– Pra, – përfundoi Sokrati, – ajo që ti do të më thuash është; as e vërtetë, as e mirë dhe as e dobishme; pse dëshiron të ma thuash?

Lexoni edhe: Shprehjet me te bukura te Sokratit

https://femra-moderne.com/shprehjet-te-bukura-nga-sokrati/