Pse disa femra nuk duan te mbeten shtatzene

Ka nga ato femra qe nuk duan te mbetet shtatzene. Jeni edhe ju pjese e grupit? Nuk i urreni fëmijët. Vetëm që tani për tani, nuk doni të keni. E megjithatë të gjithë duan t’ju shohin me barkun e madh. Sepse të mos paturit fëmijë është ende një zgjedhje e diskutueshme, jo e lehtë. Por që keni të drejtën ta bëni pa u justifikuar me askënd

Mund të ndodhë kudo. Në një drekë familjare, në një shëtitje në qendër… Takoni dikë dhe duke folur për bukuri kur, tak, pyetja e përhershme: “Po hë, kur do të na gëzosh me një bebe?”. Tani, nëse do të ishit në periudhën e menopauzës do të kishin të drejtë të shqetësosheshin, por ju jeni si kokrra e mollës dhe ju duhen edhe 20 vjet të tjera përpara se të arrini në atë moshë. Nuk shikoni ndonjë arsye se përse duhet të hiqni dorë nga xhinset me bel poshtë për të veshur një fustan shtatzënie. Kjo këmbëngulje e njerëzve po ju bën nervoze, pasi vendimi juaj nuk është i prerë 100 %. Vetëm që tani shtatzënia nuk përbën një parësi për ju. Dhe mund të vazhdojë kështu edhe për pak kohë.

Nuk jemi të këqija, thjesht nuk duam

Kështu ndjenjat tuaja të fajit rriten. Në atë pikë saqë, ndieni nevojën për t’u justifikuar. Ju ka ardhur në majë të hundës duke u shpjeguar të gjithëve që nuk jeni e pandjeshme. Jeni një grua shumë normale, vetëm që tani për tani nuk doni të keni fëmijë. Të mos duash fëmijë, njerëzit vazhdojnë ende ta mendojnë si një tabu, që ata nuk e pranojnë ose thjesht nuk u pëlqen të flasin. Por duke parë që numri i grave që nuk duan fëmijë po vjen në rritje, duhet të fillojmë t’i kuptojmë, në mënyrë që ato më në fund të mos na japin më shpjegime. Shoqja juaj, që ka një fëmijë në çerdhe dhe po pret një bebe tjetër, do t’ju kishte zili në një çast lodhjeje. Përpara të tjerëve ajo s’do ta pranonte kurrë. Sepse është një mentalitet i zakonshëm që ata që nuk krijojnë familje e kanë gabim. Ose më keq akoma, është e çuditshëme. Në fund të fundit a nuk thonë të gjithë që të bësh fëmijë është një punë shumë e vështirë, por që shumë njerëz e përballojnë pa u menduar shumë gjatë?

Rezultate imazhesh për couple Eiffel Tower

Shantazh emotiv

Nuk është një gjë e bukur që fazat e tua hormonale të jenë nën vëzhgimin e të gjithëve. “Nuk arrija t’u besoja veshëve të mi kur një ditë, motra ime, që po pret fëmijën e dytë, po llogariste ditët e mia të fertilitetit”. tregon Juli 30 vjeçe që ka katër vjet që bashkëjeton me Adin. Po përse askush nuk e pyet kurrë një njeri nëse është gati që të bëhet prind? Të duash një fëmijë se do që të ndihesh e realizuar është një gjë, por t’i rritësh ata është gjë tjetër. Çdo ditë shikojmë fëmijë që i lënë pas dore dhe prindërit as që kujdesen për ta. Atëherë kush është egoisti: ata që kane zgjedhur të mos kene, apo ata që i bëjnë?

Nuk arrij t’i kombinoj të gjitha detyrimet

Gjendja është konfuze dhe delikate. Nga njëra anë, e dini që të keni një fëmijë nuk është më fati biologjik i grave, si në kohërat e mëparshme. Nga ana tjetër është e vështirë të mbash mbi shpatulla një zgjedhje që disa e gjykojnë si “kundër natyrës”. 30 vjeçaret e sotme gjenden në një fazë pasigurie ekzistenciale. Duan të realizohen profesionalisht, por e dinë që karriera me mëmësinë janë të vështira për t’u kombinuar. Një fëmijë hyn në planet e një çifti. Por duke qenë edhe ky i fundit në fazën e transformimit të tij, ndërfutet një element pasigurie.

Të mirat e të mos paturit fëmijë

Marina dhe i fejuari i saj kërkojnë të drejtën për të jetuar jetën e tyre, pa u ndjerë në faj që do të zhgënjejnë parashikimet e të tjerëve. Të tjerët nuk duan të kuptojnë zgjedhjet tuaja? Durim. E rëndësishme është që ti dhe ai të mbani një qëndrim pozitiv, duke u kujtuar për të gjithë lirinë dhe kohën që keni përpara. Kështu që nëse instikti juaj i nënës nuk është bërë ende i gjallë, mos u ndjeni në faj, mos mendoni se e keni gabim. Jeni vetëm në një fazë kalimtare. Tashmë është e qartë që po del një koncept i ri feminiliteti, në të cilin, më shumë se potencialiteti i trupit, ka rëndësi ai i personit në tërësi. Prandaj, nëse herën tjetër shoqja juaj mbetet  e habitur që nuk klithni nga gëzimi se shikoni një bebe në karrocë, mos u bëni merak. Nuk jeni ende gati për të bërë rolin e nënës ideale, në rregull. Po për atë të tezes… pranohen kandidatura!

femra-moderne.com